Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter u takua sot me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për ta siguruar për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për sigurinë e Izraelit, një javë pas arritjes së marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit.
Kryeministri Netanyahu e priti Sekretarin Carter me fytyrë të ngrysur para se të hynin në zyrën e zotit Netanyahu në Jeruzalem për një takim që zgjati dy orë. Asnjëri prej tyre nuk bëri komente publike pas takimit.
Zëvendës Ministrja e Jashtme Tzipi Hotovely la të kuptohej se Izraeli do të vazhdonte të kundërshtonte marrëveshjen, së paku deri kur Kongresi të përmbushte 60 ditët e shqyrtimit të dokumentit.
"Ne nuk duhet ta shohim këtë betejë si të pakuptimtë,” tha Hotovely. “Ne duhet të vazhdojmë ndikimin tonë mbi amerikanët dhe të mos lejojmë heqjen e sanksioneve”.
Zoti Carter u takua të hënën me Ministrin e Mbrojtjes të Izraelit Moshe Ya’alon dhe tha “Izraeli është themeli i strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme”. Ai shtoi se rajoni ishte i ndërlikuar dhe i trazuar. “Ne i kemi të qarta interesat tona. Një ndër kryesorët ndër këto interesa është miqësia dhe aleanca e Shteteve të Bashkuara me Izraelin”.
Ya’alon tha se Izraeli e vlerëson marrëdhënien e tij me Shtetet e Bashkuara dhe beson se “pavarësisht nga mospajtimet, ne kemi interesa dhe vlera të përbashkëta”.
Zoti Carter është i pari zyrtar i lartë i administratës Obama që viziton Izraelin që kur Irani ra dakord një javë më parë të reduktojë programin e armëve bërthamore në shkëmbim për heqjen e pjesshme të sanksioneve ekonomike kundër tij.