Lidhje

Libi: Dënim me vdekje për djalin e Gadhafit


Një gjykatë në Libi dënoi sot me vdekje Seif al-Islamin, djalin e Moammar Gadhafit, për rolin e tij në dhunën e ushtruar nga autoritetet kundër protestave të përgjakshme të vitit 2011 që çuan në largimin e të atit të tij nga pushteti.

Gjykata e Tripolit po ashtu dënoi me vdekje edhe 8 persona të tjerë, përfshirë ish shefin e zbulimit Abdullah al-Senoussi dhe ish-kryeministrin Baghdadi al-Mahmoudi.

Seif al-Islam nuk ishte sot i pranishëm në gjykatë. Dënimi i tij u dha në mungesë, sepse ai po mbahet i ndaluar nga një grup i armatosur në qytetin Zintan, që mbështet qeverinë e njohur nga ndërkombëtarët në Tobruk dhe jo qeverinë rivale me mbështetjen e islamikëve, e cila vepron në Tripoli.

Seif al-Islam po ashtu kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në lidhje me d yakuza për krime kundër njerëzimit. Gjykata thotë se ai ishte personi më me ndikim në qeverinë e Gadhafit, e cila përdori çdo mjet, përfshirë forcën vdekjeprurëse, për të shtypur protestat popullore.

Kryengritja në Libi filloi në shkurt të vitit 2011 në Benghazi, me protesta të cilat u frymëzuan nga revoltat e ashtuquajtura të pranverës arabe në Tunizi dhe në Egjipt. Në muajin mars të atij viti, NATO filloi një fushatë sulmesh ajrore që zgjati për 7 muaj rresht, nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të mbrojtur civilët nga forcat libiane.

Muamar Gadhafi vdiq në tetor. Djali i tij, Seif al-Islami u kap një muaj më vonë.

XS
SM
MD
LG