Lidhje

Republikanët në prag të debatit të parë presidencial


Kandidatët republikanë për president mbajnë debatin e tyre të parë të enjten në Cleveland to shtetit Ohio, aktiviteti i parë i këtij lloji në një betejë për emërimin e partisë së tyre për zgjedhjet e 2016-ës, që mendohet të jetë e gjatë dhe e ashpër.

Në krye të listës me një epërsi të ndjeshme në sondazhe në prag të debatit mes republikanëve është miliarderi Donald Trump. Ai po tërheq turma të mëdha njerëzish me të folurin e tij pa doreza.

“Ajo që po ndodh, është një mobilizim, një mobilizim i jashtëzakonshëm. Duam ta rimarrim vendin në duart tona. Duhet medoemos ta marrim në dorë”.

Zoti Trump nuk mori pjesë në një forum të hënën në New Hampshire ku ishin të pranishëm shumica e kandidatëve republikanë. Por të enjten, vetëm 10 të parët nga 17 kandidatët do të lejohen të marrin pjesë në debat, në varësi të rezultatit të anketave të deritanishme.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush mbetet një nga kandidatët kryesorë por është pas Trumpit në sondazhe.

Zoti Bush i ka kritikuar sulmet e zotit Trump ndaj imigrantëve dhe ndaj disa prej rivalëve të tij republikanë.

“Për të fituar duhet t’i tërheqësh njerëzit drejt kauzës tënde. Nuk duhet t’i largosh ata. Nuk mund të zhvillosh një fushatë sulmesh duke i përjashtuar njerëzish, me një mendim konservator thjesht të ngjashëm me çdo mendim tjetër konservator”.

Por analistja Karlyn Bowman thotë se zoti Trump, ka gjetur gjuhën e përbashkët me votuesit republikanë të zhgënjyer dhe të zemëruar.

“Ka një pakënaqësi të thellë ndaj Uashingtonit. Njerëzit janë shumë më të kënaqur me guvernatorët e shteteve dhe autoritetet lokale. Por ka një pakënaqësi të madhe me Uashingtonin”.

Vëmendja e madhe ndaj Trumpit e shton presionin ndaj kandidatëve të tjerë që të bien në sy në debat, përfshirë guvernatorin e Uiskonsit Scott Walker.

“Nëse e bëjmë në Uiskonsin, nuk është vonë të bëhet atje dhe sigurisht nuk është vonë për ta bërë në Amerikë. Unë kërkoj votën tuaj”.

Të tjerët e shohin debatin si një shans për të rigjallëruar fushatat e tyre të dobëta, si në rastin e guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie.

“Ky vend ka nevojë që të punojmë përsëri së bashku, jo kundër njëri-tjetrit”.

Debatet do të jenë një provë vendimtare për kandidatët, thotë analisti John Fortier.

“Do të ketë aq shumë debate, saqë një debat i keq nuk do të dëmtojë njeri. Por nëse dikush del mirë vazhdimisht, do të dalë mes kandidatëve kryesore, ose dikush mund të dalë keq”.

Kështu hapet sipari i përballjes së parë të madhe për fushatën e 2016-ës.

XS
SM
MD
LG