Lidhje

Rënia e të ardhurave, rishikohet buxheti


Qeveria ul parashikimet për të ardhurat me 128 milionë dollarë më pak. Shkurtohen dhe shpenzimet. Ministria e Financave: Nuk preken investimet

Në pamundësi për të mbushur gropën e krijuar në pjesën e parë të vitit, si pasojë e rënies së pandërprerë të të ardhurave, qeveria i ka bërë një rishikim buxhetit për pjesën e mbetur të 2015-s. Ndërsa parashikimi fillestar për të ardhurat ishte për mbi 414 miliardë lekë, deri në fund të vitit autoritetet parashikojnë tanimë që të mbledhin 398 miliardë lekë, 16.3 miliardë lekë ose 128 milionë dollarë më pak.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit, të ardhurat rezultuan 4.5 përqind më pak se sa plani i parashikuar nga qeveria, ose me një mungesë prej 8.6 miliardë lekësh, të barasvlefshme me 68 milionë dollarë. Vecanërisht problematike në pjesën e parë të vitit ishin të ardhurat tatimore, të cilat rezultuan me një diferencë prej 12.9 miliardë lekësh, ose 101 milionë dollarë më pak. Por duket qartë dhe nga parashikimi për pjesën e dytë se autoritetet nuk presin ndonjë përmirësim në këtë drejtim, duke qenë se deri në fund të vitit ato parashikojnë që totali i këtyre të ardhurave të arrijë në 272 miliardë lekë, ose afërsisht 22.4 miliardë (mbi 175 milion dollarë) më pak se plani fillestar.

Rishikimi i buxhetit
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

Thuajse në të njejtën masë me të ardhurat, janë edhe shkurtimet në shpenzime, që zbresin me 3.9 përqind nga totali i parashikuar në buxhetin e hyrë në fuqi në fillim të vitit. Ministria e Financave shpjegoi sot se “edhe pse shpenzimet buxhetore propozohen me ulje, ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me faktin se buxheti real i institucioneve nuk preket, por ndërhyrja është bërë në ato zëra, ku janë evidentuar kursime, ose ku shpenzimet, ashtu siç janë parashikuar, do të rezultonin me mosrealizime në fund të vitit”.

Sipas ministrisë, shpenzimet kapitale, pra zëri që lidhet me investimet, mbeten pothuajse në të njëjtat nivele, çka tregon se “ekonomia është e sigurt në marrjen e stimujve të vet nga buxheti i vitit 2015”. Megjithatë në pjesën e parë të vitit ato kanë qenë 18.8 përqind më të ulta, që e përkthyer në vlerë, do të thotë 4.8 miliardë lekë (38 milion dollarë) më pak, se sa plani. Ministria saktëson se në shpenzimet kapitale “janë miratuar disa rialokime, përkatësisht nga projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) tek ato me financim të brendshëm. Kjo si pasojë e ecurisë të ngadaltë të zbatimit të projekteve me financim të huaj për vitin 2015, kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm, drejt atyre me ecuri më të lartë”, thihet në njoftimin e ministrisë.

Rënia e të ardhurave në buxhet solli dhe mosaprovimin e rishikimit të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e për pasojë shtyrjen e lëvrimit të këstit të radhës së kredisë. Sipas FMN-së situata me të ardhurat lidhet kryesisht me problemet e administrimit fiskal. Nga ana e saj, opozita foli një ditë më parë për një dështim të qeverisë, duke konsideruar se gropa e krijuar është pasojë e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG