Lidhje

Hekurudha më e gjatë në botë


Hekurudha më e gjatë në botë ka hapur mundësi të reja tregtare mes Kinës dhe Evropës. Kjo hekurudhë lidh Spanjën me brigjet lindore të Kinës duke u ofruar klientëve kinezë produktet spanjolle në dyqanet e tyre dhe duke u ofruar kompanive kineze një rrugë më të shpejtë se sa transporti detar për importin e mallrave evropiane.

Treni po përgatitet të nisë udhëtimin prej afro 13,000 km nga Madridi për në Yiwu, në brigjet lindore të Kinës. Vagonat transportojnë kontenierë të mbushur me mallra spanjolle që kërkohen nga klasa e pasur kineze.

Treni përcillet me një ceremoni të posaçme ku merr pjesë ambasadori kinez në Spanjë dhe guvernatori i provincës Shënxhën.

“Siç e ka thënë Shekspiri, ‘Sheri brandi është një rreze e diellit spanjoll e mbyllur në shishe”.

Ky tren i mbushur me rreze diellit në shishe do të udhëtojë drejt Kinës ku ka gjetur treg të ri për sheri brandin spanjoll.

Shishe vere nga Rioja dhe vaj ulliri nga Andaluzia janë disa nga produktet spanjolle që kanë filluar të transportohen me rrugë hekurudhore, duke kaluar nëpër tetë vende përmes Evropës dhe Azisë.

Mario Esteban, analist për sigurinë në Institutin Mbretëror Elcano, thotë se transporti hekurudhor është më i sigurtë se ai detar:

“Pjesa më e madhe e shkëmbimeve tregtare mes Kinës dhe Evropës kalon nëpër rrugë detare, pasi është formë më e lirë transporti, por kërkon më shumë kohë. Po ashtu, ky itinerary kalon nëpër pika strategjike si ngushtica e Malakës dhe Gjiri i Adenit. Nëse këto pika destabilizohen, ato ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike të Kinës. Për këtë arsye po diversifikohen format e transportit mes Kinës dhe partnerëve të BE-së”.

Treni i parë mbërriti në Kinë më 9 dhjetor 2014. Që atëherë, janë realizuar edhe tre udhëtime të tjera nga Yiwu për në Madrid, por vetëm dy udhëtime nga Madridi në Yiwu. Kostoja e transportit hekurudhor të mallrave nga Spanja në bregun lindor të Kinës është 5000 dollarë për kontenier. Megjithëse çmimi është më i lartë krahasuar me transportin detar, kohëzgjatja e reduktuar e bën këtë alternativë më të leverdisshme.

Zhang Ruizhi është menazher në kompaninë Mundiver, një ndër importuesit kryesorë të produkteve spanjolle:

“Transporti hekurudhor është shumë më i shpejtë se transporti detar. Me tren duhen 18-21 ditë, ndërsa me rrugë detare duhet thuajse dy here më shumë kohë. Transporti ajror është shumë më i shpejtë, por kostoja me tren është më e ulët, prandaj zgjedhim transportin hekurudhor."

Mundiver importon nga Spanja verë, ujë, lëng frutash dhe ullinj. Klasa e pasur kineze ka kërkesë në rritje për mallra ndërkombëtare duke nxitur autoritetet në dy skajet e këtij shkëmbimi të gjejnë mënyra sa më të mira për të lehtësuar tregtinë.

Qeveria kineze i ka akorduar Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë 100 miliardë dollarë për të financuar projekte që ndihmojnë shkëmbimet tregtare.

Me mbërritjen e trenit në doganën kineze, kompania Mundiver fillon punën për reklamimin dhe shpërndarjen e produkteve, në mënyrë që klientë të rinj të prezantohen me importet spanjolle dhe kërkesa të vazhdojë të rritet.

XS
SM
MD
LG