Lidhje

Stacioni nëntokësor në funksion të artit


I braktisur më shumë se 50 vjet më parë, stacioni i nëndheshëm i tramvajit në zonën historike të Uashingtonit, Dupont Circle, do të rikthehet në jetë. Planifikohet që kjo hapësirë e madhe nëntokësore të shndërrohet në një skenë unike për ekspozita artistike, koncerte dhe madje edhe filma.

Parku Dupont Circle në zemër të Uashingtonit është një nga destinacionet më popullore. Por, pak njerëz dinë se ç’ndodhet nën të, një hapësirë nëntokësore që Braulio Agnese shpreson ta transformojë nga një stacion trami në një hapësirë për artet.

“Mund të përfytyrojmë çdo gjë që mund të mbushte hapësirën me mënyra të ndryshme, me ndriçim dhe tinguj. Ose mund të përdoret si një galeri tradicionale. Forma e përdredhur mund t’u ofrojë një skenë aktrimi trupave të shumta të teatrit eksperimental që ka në Uashington.”

Ky rrjet tunelesh dhe platformash u ndërtua në fund të viteve 1940. Por, funksionoi për një kohë të shkurtër pasi tramvajet qarkulluan vetëm deri në vitet ’60-të.

“Gjërat kanë ndryshuar shumë gjatë pesë viteve të fundit të zhvillimit të shkencës së restaurimit. Mendojmë se ka një mundësi të re për të krijuar diçka në ndihmë të qytetit.”

Ky është një shembull i prirjes për të ripërshtatur mjedise industriale të braktisura. Në Nju Jork synohet të transformohet një depo e braktisur tramvajesh në një park të nëndheshëm. Dhe Nju Jorku e ka tashmë parkun e mirënjohur HighLine, që u krijua nga transformimi i një rrjeti të vjetër hekurudhor. Pikëpyetja është nëse mundet dhe projekti në Dupont të ketë sukses.

“Mendoj se ka nevojë për hapësira arti në Dupont dhe se kjo është hapësira perfekte për shkak të madhësisë, rreth 7 mijë metra katrorë. Do jetë fantastike.”

Kështu thotë Bill McLeod, që drejton një organizatë në ndihmë të bizneseve të vogla në Dupont Circle. Atij i kujtohet një përpjekje 15 vjet më parë për të hapur aty një kompleks restorantesh të nëndheshme. Përpjekja dështoi.

“Tashmë planifikuesit janë me realistë, si dhe i kuptojnë kostot e një projekti të tillë. E kanë përqafuar këtë projekt dhe kjo është një gjë e mirë.”

Braulio Agnese dhe kolegët e tij shpresojnë ta hapin për publikun stacionin e nëndheshëm brenda kësaj vjeshte. Atëherë do të testohet edhe se sa njerëz do të duan të ndjekin artin nën tokë.

XS
SM
MD
LG