Lidhje

Shqipëri: Të ardhurat, rënie edhe në korrik


Në total mosrealizimi në 7 muajt e parë të vitit arriti afërsisht në 11.2 miliard lekë krahasuar më parashikimet e fillimvitit. Pas rishikimit në buxhet, plani i të ardhurave zbriti me 16.3 miliard lekë

Në Shqipëri, të ardhurat në buxhetin e shtetit shënuan një tjetër rezultat negativ edhe në muajin korrik, ku krahasuar me planin e parashikuar nga qeveria në fillim të vitit, mungonin 2.5 miliard lekë (19.7 milion dollarë). Në total gropa e krijuar në 7 muajt e parë të vitit arriti afërsisht në 11.2 miliard lekë (88.5 milion dollarë).

Tendenca rënëse e të ardhurave gjatë gjithë pjesës së parë të 2015-ës detyroi qeverinë që të ndërhyjë duke shkurtuar planin e të ardhurave. Ndërsa parashikimi fillestar ishte për të grumbuluar mbi 414 miliardë lekë, deri në fund të vitit, autoritetet parashikojnë tanimë që të mbledhin 398 miliardë lekë, 16.3 miliardë lekë (128 milionë dollarë) më pak. Por të dhënat e 7 mujorit duket se ofrojnë një panoramë aspak optimiste. Nëse grumbullimi i të ardhurave do të vazhdojë me ritmet e deritanishme, edhe rishikimi i fundit i të ardhurave mund të mos rezultojë i mjaftueshëm. Gropa e krijuar deri në fund të korrikut është sa 68 përqind e shumës së shkurtuar. Aq më tepër kur situata e të ardhurave nga Tatimet paraqitet akoma më problematike, me një mungesë prej 15.3 miliard lekësh (121 milion dollarë) më pak se sa plani fillestar, ku akcizat kanë një mosrealizim prej 23 përqindësh, tatimi mbi të ardhurat personale 19.5 përqind më pak dhe Tatimi mbi vlerën e shtuar 3.7 përqind më pak.

Rënia e të ardhurave u bë shkak që misioni i fundit i Fondit monetar ndërkombëtar të mos miratonte rishikimin e radhës së programit tre vjecar me Shqipërinë, e cila pasohet me moslëvrimin e këstit. Në disa intervista për mediat shqiptare, përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, shprehu shqetësim për “rënien domethënëse” të të ardhurave, duke vlerësuar se kryesisht ato kanë ardhur për shkak të problemeve në administrimin fiskal. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e një operacioni të gjerë kundër evazionit fiskal shtatorin e ardhshëm. Ndërsa opozita ka bërë përgjegjëse për situatën “evazionin fiskal dhe kontrabandën” që sipas saj “ushqehet nga vetë strukturat shtetërore dhe klientët e qeverisë”.

Rënia e të ardhurave duket se ka detyruar autoritetet të shtrëngojnë dorën në shpenzime, të cilat gjithashtu kanë qenë në fund të 7-mujorit, ndjeshëm më të ulta. Problematik mbetet fakti se qeveria ka reduktuar ndjeshëm shpenzimet kapitale, ose investimet e parashikuara. Me rishikimin e buxhetit, edhe shpenzimet u shkurtuan thuajse në të njejtën masë me të ardhurat. Ato kanë zbritur me 3.9 përqind nga totali i parashikuar në buxhetin e hyrë në fuqi në fillim të vitit.

Paralelisht me buxhetin e vitit 2015, qeveria ka rishikuar edhe programin ekonomik afatmesëm, duke vlerësuar në ulje rritjen ekonomike deri në 2018, e në të njejtën kohë një rritje të borxhit dhe deficitit buxhetor, krahasuar me pritshëmritë e saj të fillimvitit.

XS
SM
MD
LG