Lidhje

Gardhi në kufirin Serbi-Hungari


Mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, shumë prej të cilëve braktisin vendet e tyre për t’i shpëtuar konfliktit, gjejnë strehim të përkohshëm në pyjet e dendura të Serbisë pranë kufirit me Hungarinë në pritje që të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian. Nga ky moment ata mund lëvizin lirisht drejt ndonjërit prej vendeve Shengen. Hungaria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian po përpiqet ta bllokojë këtë dyndje duke ndërtuar një gardh në vijën e saj kufitare me Serbinë:

Kufiri mes Serbisë dhe Hungarisë është Thembra e Akilit për ata refugjatë që përshkojnë Ballkanin drejt Perëndimit. Çdo ditë rreth 1500 refugjatë, pjesa më e madhe nga Afganistani dhe Siria përshkojnë pyjet në Serbi për t’u futur në Hungari.

Evropa po reagon duke u përpjekur të mbyllë kufijtë me territoret përreth kufijve të saj. Autoritetet hungareze po mbikqyrin një program madhor për të rrethuar me gardh kufirin me Serbinë.

Hungaria tha të premten se brenda pak ditësh do të përfundojë fazën e parë të gardhit në vijën kufitare me Serbinë. Segmenti shtrihet për 70 kilometra.

Projekti parashikon ngritjen e një gardhi prej 175 kilometrash të përbërë nga dy seksione paralele: njëri me lartësi 1.5 metra me tela me gjemba, ndërsa tjetri: rrjetë e dendur metalike që shtrihet paralelisht me të.

Për momentin refugjatët ende arrijnë ta kalojnë gardhin në një pjesë të ulët. Megjithë problemet, zëdhënësi i qeverisë hugareze Zoltan Kovacs tha se projekti po ecën sipas planit:

“Segmenti më i frekuentuar i gardhit do të mbarojë së shpejti. Puna vazhdon paralelisht në 13 pika të ndryshme të gardhit. Është një punë komplekse, por është në interes jo vetëm të Hungarisë, por të mbarë Bashkimit Evropian që të përfundojë brenda muajit”.

Kryetari i Bashkisë së Asotthalomit, udhëheqësi i grupit të ekstremit të djathtë, Lëvizja Rinore 64 Komuna, shprehu shqetësim se në zonë nuk ka prani të mjaftueshme policore:

“Presim e shohim si do të dalë në përfundim gardhi, shpresoj të jetë diçka më serioze dhe profesionale se ky tani. Gardhi duhet të ketë roje. Për momentin policia hungareze nuk ka qenë në gjendje ta mbrojë gardhin, por është shumë e nevojshme të vendosen roje përgjatë vijës kufitare”.

Zëdhënësi Kovacs thotë se qeveria ka shpenzuar që vjet rreth 20 milionë euro për ndërtimin e gardhit dhe shtimin e pranisë policore, por se nuk ka marrë fonde të mjaftueshme nga Bashkimi Evropian në përgjigje të problemit.

Qeveria e kryeministrit Voktor Orban ka filluar një fushatë me afishe ku u paralajmëron refugjatët se nuk do të gjejnë punë në kurriz të punësimit të hungarezëve, si dhe i këshillon të respektojnë traditat e vendit.

Autoritetet kanë në plan ta zgjerojnë fushatën me afishe në gjuhë të ndryshme në vendet nga vijnë refugjatët për t’i bindur se po mashtrohen nga trafikantët dhe se premtimet për një jetë të re e status të rregullt në Evropë nuk janë të vërteta.

Brenda Hungarisë dyndja e refugjatëva ka shtuar përkrahjen për forcat e ekstremit të djathtë, sidomos për partinë Jobbik që ushqen ndjenja ksenofobie.

XS
SM
MD
LG