Lidhje

Shpërthimet në Kinë


Autoritetet kanë konfirmuar se një lëndë toksike vdekjeprurëse ishte magazinuar në depot që u shkatërruan nga shpërthimet masive në qytetin port Tianjin. Ndërkohë që zona është evakuar, shumë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre zjarrfikës.

Shefi i shtabit të ushtrisë kineze tha sot se më shumë se 100 tonë cianid sodiumi ishte magazinuar në dy depo të ndodhura brenda rrezes së shpërthimit.

Autoritetet urdhëruan evakuime të detyrueshme në rreze prej 3 kilometrash nga vendi i shpërthimit që shkatërroi një lagje industriale të qytetit verilindor.

“Tani nuk ndjehemi mirë pasi dihet që ndotja mjedisore nuk ikën për një ose dy vjet. Pra, është e rrezikshme edhe për brezin e ardhshëm.” thotë një banor.

“Të gjithë jetojmë në një ndërtesë rezidenciale. A na kishte thënë gjë njeri se kishte mallra të rrezikshme të magazinuara pranë nesh? Jo. Nuk e dinim.” , shprehet një banor tjetër.

Zyrtarët kinezë thanë sot se numri i viktimave është rritur në 112. Mediat shtetërore informuan se ndër viktimat janë edhe shumë zjarrfikës. Një zëdhënës i qytetit Tianjin tha se ekipet e shpëtimit po kërkojnë për 95 persona, prej të cilëve 85 janë zjarrfikës.

Protestues që kërkonin përgjigje për të zhdukurit, u përplasën sot me policinë përpara ndërtesës së bashkisë. Lei është babai i një zjarrfikësi të zhdukur.

“Kanë kaluar disa ditë. Nuk di as nëse im bir është gjallë apo ka vdekur. Qeveria nuk na jep asnjë informacion. I vetmi informacion për zjarrfikësit është në kanalet televizive. Duam të dimë se çfarë u ka ndodhur.”

Hetuesit ende nuk janë shprehur publikisht për shkaqet e zjarrit dhe shpërthimeve që kanë shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur rëndë

XS
SM
MD
LG