Lidhje

Biçikletat në Brazil


Sistemi i korsive të biçikletave në Rio de Zhaneiro po zgjerohet dhe do të bëhet më i gjati në Amerikën Latine, përpara zhvillimit të Lojërave Olimpike 2016. Ka ende punë për t’u bërë, por qyteti brazilian po shndërrohet me shpejtësi në kryeqytetin e kulturës së çiklizmit.

Me lojërat olimpike vetëm një vit larg, në Rio de Zhaneiro, banorët po zbulojnë mënyra të reja për të lëvizur nëpër qytet duke shmangur trafikun. Korsitë e para të biçikletave u vendosën përgjatë bregut Kopakabana në vitin 1992. Që atëherë numri i çiklistëve është rritur me 300%. Megjithëse pjesa më e madhe vazhdon të përdorë biçikletën për shëtitje, shumë njerëz po e përdorin për të shkuar në punë. Qyteti Rio filloi fazën e dytë të krijimit të korsive të reja për biçikleta në vitin 2012 dhe tani synon ta rrisë trajektoren nga 376 kilometra në 450 kilometra deri në vitin 2016, përpara lojërave olimpike. Korsi të reja për biçikleta po krijohen në pjesë të ndryshme të qytetit, duke lidhur lagje të ndryshme me sistemin kryesor të tranzitit.

“Është një shembull klasik. Po reformojmë një pjesë të degraduar të qytetit, duke futur parqe, pemë, dhe korsi biçikletash për transport në distanca të shkurtra, në mënyrë që njerëzit të lidhen me sistemin e transportit publik pa patur nevojë për automobilë,” thotë zyrtari i bashkisë Moraes.

Ndërkohë po ndërtohet dhe një korsi më e gjatë, që anashkalon vargmalin që ndan bregun Kopakabana me zonën Barra da Tizhuka, ku do të zhvillohen lojërat olimpike. Korsi biçikletash po krijohen në lartësi të madhe nga niveli i detit, dhe madje edhe përmes tuneleve. Sistemi i biçikletave të përbashkëta ka tashmë 60 stacione me rreth 600 biçikleta të disponueshme, dhe kjo do të trefishohet në vitet në vazhdim.

Është krijuar edhe kafeneja e parë private për çiklistë, të cilët munden të parkojnë biçikletën dhe madje të bëjnë edhe dush. Pronari Frederico Araujo Lima thotë se pasi lënë biçikletat, klientët mund t’i drejtohen dusheve.

“Kemi ujë të ngrohtë që menaxhohet me kartë elektronike. Ka shampo dhe sapun.”

Dushi është një domosdoshmëri për çiklistët në një qytet ku temperatura shkon mbi 40 gradë. Maysa Blay përpiqet të bindë miqtë e saj të përdorin biçikletën për të shkuar në punë.

“Sa herë dalim në grup ose vetëm, jemi duke bërë një deklaratë politike, duke u shfaqur në publik dhe duke ngjallur zilinë e shoferëve të ndaluar në trafik.”

Njëherë në muaj, një grup aktivistësh takohen të dielën në Parkun Flamengo për të diskutuar problemet e të ngarit të biçikletës në qytet.

“Në Rio de Zhaneiro, biçikletat shikohen ende si punë qejfi, dhe shoferët dhe këmbësorët i shikojnë çiklistët me përçmim.”

Deri në vitin 2016, shumë rrugë dikur të rrezikshme për çiklistët, do të kenë më shumë korsi biçikletash që dhurojnë pamje të mrekullueshme të bregdetit.

XS
SM
MD
LG