Lidhje

Trump: Emigrantët e paligjshëm duhet të largohen


Manjati i pronave të patundshme Donald Trump, i cili kryeson garën republikane për të marrë emërimin për garën presidenciale 2016, tha sot se emigrantët e paligjshëm do të duhet të largohen nga Amerika, nëse ai zgjidhet president.

I pyetur gjatë një interviste për kanalin NBC rreth pikëpamjeve të tij politike, zoti Trump tha se “nuk do të ndajmë familjet, por ata duhet të largohen”.

Në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se gjenden 11 milionë emigrantë pa dokumenta. Zoti Trump po ndjek një vijë të ashpër ndaj tyre, ndërkohë që po kandidon për garën që do të përzgjedhë pasardhësin e zotit Obama, të cilit nuk ia lejon kushtetuta të kandidojë për një term të tretë.

Zoti Trump ka akuzuar Meksikën se lejon hyrjen e paligjshme në SHBA të “kriminelëve” dhe “përdhunuesve”, dhe premtoi të ndërtojë një mur rrethues të padepërtueshëm përgjatë kufirit SHBA – Meksikë. “Askush nuk do ta kalojë atë mur”, tha zoti Trump gjatë intervistës.

Për çështje të tjera të politikës së jashtme, zoti Trump tha se nëse do të zgjidhet president, ai do t’ja marrë pasuritë Shtetit Islamik në Irak, duke shtënë në dorë zonat naftëmbajtëse që ata kanë pushtuar.

Ai tha se do t’i kthejë diçka Irakut, por pjesën më të madhe të këtyre fondeve do t’ja japë familjeve të ushtarëve amerikanë të vrarë dhe të plagosur gjatë luftës 8-vjeçare në Irak.

Gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar qindra sulme ajrore ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik për të mbështetur trupat irakiane, por zoti Obama ka kundërshtuar ridërgimin e trupave tokësore amerikane.

Zoti Trump e përkufizoi ish-kontraktorin e shërbimeve të sigurisë Edward Snowden, i cili jeton tashmë në Rusi pasi botoi detaje masive për programet amerikane të mbikqyrjes, si “absolutisht një tradhtar” dhe një “turpërim”.

Zoti Trump e quajti Sekretarin e Shtetit John Kerry një “të paaftë” që negocioi marrëveshjen bërthamore me Iranin. Zoti Trump parashikon se “Irani do të bëhet fuqi bërthamore”.

Donald Trump, i cili mendohet se është multi-miliarder, po e financon vetë fushatën e tij dhe u tha gazetarëve ditën e shtunë se do të ishte i gatshëm të shpenzonte 1 miliardë dollarë për fushatën e tij. Shumica e kandidatëve të tjerë mbështeten në përpjekje masive për të grumbulluar fonde.

Kandidatja kryesuese demokrate, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, është përpjekur ta kategorizojë zotin Trump në të njëjtin grupim me kandidatët e tjerë republikanë. Analistë politikë besojnë se ata do t’ia kalojnë zotit Trump në vazhdim, në veçanti ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, dhe senatori Marco Rubio, po nga Florida.

“Mos u shpërqëndroni prej cirkut”, u tha njerëzve zonja Clinton gjatë një tubimi të premten. “Nëse shqyrtoni politikat e tyre, shumica e kandidatëve të tjerë janë pikërisht si zoti Trump, por pa pica dhe flokë.”

XS
SM
MD
LG