Lidhje

Sulmi në trenin francez


Ndërkohë që hetuesit kundër terrorizmit në Francë po marrin në pyetje të dyshuarin për të shtënat në tren, një grup njerëzish, ndër ta edhe tre amerikanë, po lavdërohen që shmangën një masakër të mundshme.

Të tre amerikanët morën medalje nga kryetari i bashkisë së qytetit Arras, në veri të Francës, ku u arrestua dje i dyshuari që hapi zjarr me armë, duke plagosur tre persona, përfshirë dy amerikanë që udhëtonin me tren nga Amsterdami për në Paris, së bashku me 554 pasagjerë të tjerë.

Ndër ta ishte një ushtarak i Forcave Ajrore amerikane, Spencer Stone, i cili u plagos gjatë përpjekjes për të mposhtur të dyshuarin. Një tjetër amerikan, Alex Skarlatos, është ish-ushtarak i Gardës Kombëtare amerikane dhe ka shërbyer në Afganistan.

“Spencer kërceu nga vendi dhe u përball me të duke u munduar ta vendosë nën kontroll. Alex gjithashtu ndihmoi, dhe pas tij Anthony dhe unë iu bashkuam në fund. Ja dolëm mbanë ta vendosnim më në fund nën kontroll.”

Pasagjeri britanik thotë se autori e preu me thikë zotin Stone në qafë dhe në gishtin e madh të dorës, ndërkohë që po mundoheshin ta lidhnin.

“Unë jam vetëm një student në vitin e fundit të universitetit. Erdha të takoj miqtë e mi për herë të parë në Evropë dhe ja ku ndaluam një terrorist. Është çmenduri.”

Heroizmi i tyre u lavdërua edhe nga ministri i brendshëm francez.

“Është e rëndësishme, që krahas presidentit të republikës dhe kryeministrit, t’iu shpreh edhe unë dy pasagjerëve amerikanë, që u treguan tepër të guximshëm dhe vepruan në një situatë shumë të vështirë, të gjithë mirënjohjen tonë.”

Policia e ka identifikuar të dyshuarin si një 26-vjeçar me origjinë nga Maroku. Deri më tani, nuk është dhënë një motiv për sulmin.

Autoritetet franceze kanë qenë në gjendje të lartë gatishmërie që kur militantë islamikë vranë 17 persona në Paris në muajin janar.

XS
SM
MD
LG