Komisionari evropian për negocim të zgjerimit Johannes Hahn, tha të enjten në Vjenë se Bashkimi Evropian do të fillojë së shpejti bisedimet për anëtarësim me Serbinë. Ai i bëri këto komente në kuadër të takimit mbi Ballkanin Perëndimorë që po i zhvillon punimet në Vjenë të Austrisë.
“Atmosfera është e tillë që ne duhet të fillojmë shumë shpejt bisedimet për anëtarësim të Serbisë, tha zoti Hahn, duke ju referuar marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Të martën të dyja palët nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.
Asociacioni i komunave ka nxitur ndërkaq shumë reagime në Kosovë, ku opozita edhe të enjten ka ndërmarrë disa veprime kundërshtuese. Përfaqësuesit e partive opozitare thonë se ai çon në ndarjen e Kosovës.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës, marrëveshjen e stabilizim asocimit, nënshkrimi i së cilës pritet muajt në vazhdim.