Lidhje

Studentët dhe debati mbi imigracionin


Një debat i ashpër është ndezur në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbi çështjen e imigracionit, i shkaktuar nga kandidati republikan Donald Trump i cili ka bërë thirrje për deportimin e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm. Por një grup studentësh pa dokumente nga universiteti Nju Jork City, të cilët përkohësisht janë të mbrojtur nga deportimi, kanë një pikëpamje tjetër mbi këtë çështje.

Biznesmeni miliarder bën thirrje për deportime masive.

Donald Trump, kandidati presidencial:

"Meksika po sjell njerëzit e saj këtu, ata po sjellin drogën, krimin, përdhunuesit, dhe disa prej tyre mendoj se janë njerëz të mirë".

Retorika e kandidatit republikan për president, Donald Trump ka krijuar ndjenja të forta në fushatën presidenciale.

Por në kampusin e universitetit Nju Jork City, disa nga studentët të cilët mund të ndikohen nga këto thirrje nuk janë aq të shqetësuar:

"Mendoj se ai është thjesht një person që përpiqet të mbjellë frikë. Ka plot njerëz të tillë. E vetmja mënyrë për t’u marrë me këta është t’i injorosh”.

Tatiana është një nga shumë studentët pa dokumente që kanë përfituar nga dekreti i përkoshëm i Presidentit Obama, për t’i mbrojtur ata nga deportimet. Ata thonë se kritikat e ashpra ndaj emigrantëve nuk janë një gjë e re:

"Kohët e fundit janë thënë disa gjëra mjaft provokuese nga një person i veçantë, dhe të them të drejtën ato nuk kanë patur ndikim tek unë".

Një shkëmbim i zotit Trump me gazetarin me origjinë latine Jorge Ramos tregoi se sa emocionale është kjo temë.

Zoti Trump e largoi një gazetar që i bëri pyetje nga dhoma.

Ndërkohë, një tjetër kandidat republikan për president, ish-Guvernatori i Floridës Jeb Bush, ka qenë tepër kritik ndaj planit të zotit Trump për deportimet.

Jeb Bush, kandidat presidencial:

"Zoti Trump beson se është e lehtë të mbledhësh të gjithë njerëzit dhe t’i deportosh ata, sepse ai është i suksesshëm dhe ai ka njerëz të suksesshëm që punojnë për të dhe mendon se kjo qasje do të funksionojë".

Studenti Francisco Tecaxco dëshiron që kandidatët presidencialë të jenë të kujdesshëm:

"Shumë republikanë i shohin studentët pa dokumenta ose emigrantët si kriminelë. Ata bëjnë shumë komente negative, por ne mund t’u tregojmë atyre se kjo nuk është e vërtetë, se ka shumë studentë të mirë. Ne jemi në unversitet, po gjejmë mënyra për të studiuar në universitet".

Këta studentë e dinë se presidenti i ardhshëm nuk do të marrë detyrën deri në janar të vitit 2017, dhe vetëm atëherë ata mund të përballen me mundësinë e deportimit.

XS
SM
MD
LG