Lidhje

Operacionet anti-drogë në Veri


Me dhjetra forca policore të mbështetura edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, po vazhdojnë prej tre javësh operacionet për shkatërrimin e parcelave me bimë narkotike në të tre rrethet e Qarkut të Shkodrës dhe, kryesisht, në zonën e largët malore të Dukagjinit, ku gjendet edhe pjesa më e madhe e parcelave të mbjella me cannabis sativa.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka shkatërruar 75 parcela me 12.139 rrënjë të bimëve narkotike, të cilat ishin në një lartësi nga 60 deri ne 240 centimetër.

Operacionet e policisë për shkatërrimin e drogës janë përqendruar orët e fundit në fshatin Mllojë, të Bashkisë Vau Dejës, ne fshatin Bojaj, në zonën e Pultit në Dukagjin, në fshatrat Bruçaj, Sumë dhe Likaj të Bashkisë Shkodër si dhe në Kishë- Arrë dhe Telumë të zonës së Temalit.

Që nga fillimi i operacionit antidrogë në zonën e Dukagjinit, policia ka asgjësuar më shumë se 300 parcela të mbjella me bimë narkotike, pjesa më e madhe e të cilave të evidentuara më parë me ndihmën e helikopterëve të specializuar të policisë italiane. Shumica e këtyre parcelave janë zbuluar në zona të thella malore, larg qendrave të banuara dhe në toka pa pronar, çka, sipas policisë, e ka bërë të vështirë zbulimin dhe ndalimin e kultivuesve të drogës.

Policia e Qarkut të Shkodrës ka bërë të ditur se, edhe gjatë ditëve të ardhëshme, do të vazhdojnë operacionet për shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike.

Që nga fillimi i këtij viti, në tre rrethet e Qarkut të Shkodrës; në Malësi të Madhe, Shkodër dhe Pukë, policia ka shkatërruar me djegje më shumë se 1000 parcela, me rreth 150 mijë bimë narkotike, gjë që e rendit Shkodrën në krye të zonave që vazhdojnë të kultivojnë bimë narkotike në Shqipëri. Kultivuesit e drogës shfrytezojnë afërsinë me kufirin shtetëror me Malin e Zi dhe me Kosovën si dhe terrenin e vështirë dhe malor, gjë që favorizon jo vetëm kultivimin e drogës, por edhe trafikimin e saj jashtë territorit të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG