Lidhje

Apartamente luksoze në një ish-depo raketash bërthamore


Për ata që i tremben një shpërthimi bërthamor, sulmeve terroriste apo stuhive diellore, një apartament special ofron qetësi mendjeje dhe trupi. Në qyetin Konkordia të Kansasit po ndërtohen apartamente luksoze brenda një depoje të nëndheshme raketash të braktisur tshme. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Enming Liu dhe Lin Yang e vizituan kohët e fundit kompleksin e ri të banimit:

Në zonat e pabanuara në veri të Kansasit sheh roje të armatosura rëndë, automjete të blinduara, kamera me rezolucion të lartë dhe kulla për snajper. Por nuk kemi të bëjmë me një objekt ushtarak.

Këtu dikur ndodhej qendra e nëndheshme e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale, Atlas.

Raketat Atlas i përkisnin sistemit amerikan të mbrojtjes gjatë Luftës së Ftohtë.

Biznesmeni Larry Hall e bleu atë pasi u nxorr jashtë përdorimit në 1965 dhe krijoi mjedise luksoze banimi.

“Këtu kemi qendrën e lëshimit të raketave Altas. Për sa i përket kapacitetit është goxha mbresëlënëse. Nëse do të duhej ta rindërtonim, do të kushtonte 120 milionë dollarë”.

14 katet e objektit lidhen me ashensor dhe ndërtesa ka një pishinë 25-metra të gjatë, një sallë kinemaje dhe një mur alpinizmi. Po ashtu ka një sistem shumë të sofistikuar furnizimi me ujë dhe energji.

“Nëse humbasim lidhjen me rrjetin elektrik, kemi gjeneratorin kryesor si dhe një gjenerator tjetër. Kemi turbina ere dhe një sistem furnizimi me bateri”.

Apartamentet janë projektuar me idenë për të jetuar në këto mjedise për pesë vjet pa kontakte me mjedisin e jashtëm. Një kat i tërë shërben për të magazinuar ushqime të konservuara.

Po ashtu kultivohen perime e peshk në bazene ujore për të garantuar furnizime të freskëta.

Dritaret elektronike, secila me vlerë 15 mijë dollarë, ndihmojnë për të luftuar psikozën që krijon jeta nën tokë për një kohë të gjatë.

“Nëse do të imagjinosh se po jeton në pranverë, apo në verë ose vjeshtë në Nju Jork, është krejt e mundur. Nëse do të zgjedhësh panoramën e San Franciskos, apo një qyteti tjetër, ne përdorim pamjet e një kameras me definicion të lartë”.

Një apartament që zë një kat të tërë, me sipërfaqe mbi 170m2 kushton mbi 3 milionë dollarë.Një apartament që zë gjysmën e katit kushton 1.5 milionë dollarë.

Por kërkohet të bësh pagesë të plotë me kesh. Pjesa më e madhe e banorëve i përdorin apartamentet si shtëpi pushimi. Leighton dhe Luke po kalojnë verën këtu.

“Jam si askush tjetër, pasi askush tjetër nuk jeton nën tokë në kushte të tilla. Nganjëherë nuk më besohet se jam nën tokë, thjesht po jetoj në një shtëpi normale”.

Apartamentet në ish objektin e parë të lëshimit të raketave janë shitur plotësisht. Punimet kanë filluar në objektin e dytë dhe gjysma e apartamenteve në këtë projekt janë shitur.

Për ata që mund ta përballojnë koston, ky apartament është si një garanci ideale për sigurinë.

XS
SM
MD
LG