Lidhje

Protesta në mbështje të imigrantëve


Tubime mbi krizën e imigrantëve u zhvilluan në mbarë Evropën të shtunën, ku 500 mijë emigrantë dhe refugjatë janë raportuar të kenë kërkuar azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian vetëm në vitin 2015.

Dhjetëra mijëra njerëz u grumbulluan në qendër të Londrës për të protestuar qëndrimin e qeverisë britanike mbi krizën e përshkallëzuar të refugjatëve.

Aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë dhe artistë marshuan në Sheshin e Parlamentit në solidaritet me refugjatët, të cilët janë duke u përpjekur për t'i shpëtuar konflikteve të armatosura, sidomos në Lindjen e Mesme.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: "Hapni Kufijtë" dhe " Me Refugjatët kundër Torëve" një referencë për partinë e kryeministrit David Cameron. Zoti Cameron ra dakord javën e kaluar për të marrë në 20 mijë refugjatë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Një turmë prej rreth 30 mijë personash u mblodhën ne Kopenhagen të Danimarkës të shtunën në favor të marrjes së mijëra refugjatëve që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.

Media lokale njoftoi se demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej: "Evropa është lagja më e afërt me Sirinë" dhe "Mirë se vini Refugjatë”.

Në Stokholm të Suedisë rreth një mijë njerëz u mblodhën në mbështetje për një politikë më bujare të qeverisë për të mirëpritur refugjatët.

Rreth 5 mijë njerëz, megjithatë, u bashkua me një protestë kundër emigrantëve në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, të shtunën, pasi qeveria kundërshtoi kuotat e refugjatëve të propozuara nga BE-ja. Shumë prej tyre hidhnin parulla anti-islame, ndërsa një numër shumë më i vogël, rreth një mijë njerëz, u mblodhën në favor të mikpritjes së imigrantëve në Poloni.

Duke folur në Berlin të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel u kërkoi vendeve anëtare të BE-së për të ndarë përgjegjësinë e pranimit të personave që kërkojnë azil.

Gjermania pret që të marrë 800,000 emigrantë dhe refugjatë vetëm gjatë këtij viti.

XS
SM
MD
LG