Lidhje

Obama do të presë presidentin kinez Xi Jinping


Presidenti kinez Xi Jinping do të zhvillojë javën e ardhëshme vizitën e parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Vizita e konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë vjen ndërkohë që janë shtuar mosmarrëveshjet mes Uashingtonin dhe Pekinit.

Presidenti Barack Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë zotin Xi Jinping, President i Republikës Popullore të Kinës, për një vizitë shtetërore me 25 shtator 2015, thuhet në deklaratën e së martës.

Vizita, që vjen pas udhëtimit të zotit Obama në Pekin në muajin nëntor, do të përfshijë një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë ku do të marrin pjesë bashkëshortet e dy udhëheqësve, thuhet në dekleratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vizita ofron një shans për të zgjeruar bashkëpunimin Amerikano-Kinez në një gamë çështjesh globale dhe rajonale të interesit të përbashkët. Dy presidentët po ashtu do të bisedojnë në rrugë konstruktive mbi mospajtimet që kanë dy vendet. Por janë pikërisht mospajtimet që kërcënojnë të lënë në hije fushat e bashkëpunimit.

Sulmet kibernetike

Një arsye për fërkimet është edhe ajo që zyrtarët amerikanë e quajnë breshëri sulmesh kibernetike që kanë origjinën në Kinë ndaj qeverisë dhe bizneseve amerikane. Presidenti Obama i quajti të papranueshme sulmet kibernetike.

“Vjen një moment kur kjo konsiderohet kërcënim kryesor i sigurisë kombëtare dhe do ta trajtojmë si të tillë”, tha presidenti Obama, i cili shtoi se Pekini do të pendohet që e ka bërë këtë çëshjte sferë të konkurrencës.

“Ju garantoj se ne do të fitojmë nëse shkon puna deri në atë pikë”, paralajmëroi udhëheqësi amerikan duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë. Kina ka hedhur poshtë se ka gisht në sulmet kibernetike ndaj qeverisë dhe bizneseve amerikane, duke këmbëngulur se është viktimë e sulmeve të tilla.

Mosmarrëveshjet detare

Një tjetër pikë e nxehtë në marrëdhënie është edhe sjellja e Kinës në Detrat e Kinës së Lindjes dhe të Jugut, ku Pekini ka mosmarrëveshje territoriale me shumë prej fqinjëve.

Uashingtoni thotë se zyrtarisht nuk mban anë kur flitet për mosmarrëveshjet e sovranitetit. Por vazhdimisht e ka kritikuar Kinën për sjellet agresive ndaj vendeve fqinje më të vogla dhe ka zhvilluar lidhje më të ngushta ushtarake me shumë prej rivalëve të Kinës për këto çështje.

Shqetësimi më i freskët janë edhe përpjekjet kineze për të ndërtuar ishuj artificialë për qëllime ushtarake në Detin e Kinës së Jugut. Një raport këtë javë nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare fliste për fotot satelitore nga të cilat del se Kina ka ndërtuar pistën e tretë për ulje-ngritjen e avionëve në ishujt artificialë.

Këta ishuj shihen si një mënyrë për ushtrinë kineze që të ushtrojë kontroll në zonën përreth Ishujve Spratly, ndaj të cilave kanë pretendime edhe Vietnami, Tajvani, Filipinet, Malajzia dhe Brunei. Uashington i ka bërë thirrje Pekinit që të ndalë ndërtimin e ishujve dhe të lejojë lëvizjen e lirë në zonat e kontestuara. Kina thotë se synimet e saj janë paqësore dhe nuk pengojnë lirinë e lëvizjes.

Të drejtat e njeriut

Grupet e të drejtave po ashtu po i kërkojnë presidentit Obama që të drejtat e njeriut të jenë përparësi gjatë vizitës së presidentit kinez. Një letër e nënshkruar nga drejtuesit e nëntë organizatave për të drejtat e njeriut shpreh shqetësimet e thella rreth “erozionit të theksuar të të drejtave të njeriut gjatë mandatit të zotit Xi.”

Gjatë takimeve të shkuara të nivelit të lartë, zyrtarë të administratës së presidentit Obama kanë ngurruar të kritikojnë publikisht udhëheqësit kinezë lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, me sa duket nga droja se kjo mund të rrezikojë disa fusha të rëndësishme bashkëpunimi.

Ndryshimet klimatike

Një prej fushave kryesore të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është edhe politika mbi ndryshimet klimatike, e cila pritet të ketë përparësi në vizitën e zotit Xi në Uashington. Gjatë vizitës së zotit Obama në Pekin vitin e kaluar, Uashingtoni njoftoi synimin për reduktimin e ndotjeve të karbonit me 26-28 për qind nën nivelin e vitit 2005 deri në vitin 2025. Kina për herë të parë është angazhuar për të ulur ndotjen karbonike deri në vitin 2030.

Marrëveshja u pa si një moment historik për dy emetuesit më të mëdhenj në botë të gazeve që shkaktojnë ndryshimet klimatike si rezultat i efektit serë.

XS
SM
MD
LG