Lidhje

Emigrantët mirëpriten në Austri


Austria mirëpriti sot rreth 3 mijë emigrantë në dy rajone të ndryshme në kufi me Hungarinë. Ndërkohë, Kroacia po i transporton refugjatët drejt Hungarisë, në pamundësi për t’i sistemuar. Në vetëm tre ditë, rreth 17 mijë emigrantë hynë në Kroaci, e cila vazhdon të mbajë të hapur kufijtë.

1500 emigrantë kaluan më këmbë nga Hungaria për në Austri në qytetin kufitar Nickelsdorf, ku u pritën nga policia dhe punonjësit e Kryqit të Kuq që i drejtuan tek autobuzët për në Vjenë.

Gjithashtu, 1600 emigrantë mbërritën me autobuzë të ofruar nga pala hungareze në qytetin tjetër austriak, Heiligenkreuz, ku hipën në autobuzë drejt Vjenës dhe drejt qytetit të dytë më të madh, Graz.

“Kemi parë pamjet nga situata në kufi dhe se si po trajtohen keq atje. Ne të policisë austriake, të ndihmuar nga ushtria, kemi një tjetër përqasje. Mundohemi t’i qetësojmë njerëzit duke ndërtuar një atmosferë besimi. Njerëzit ndjehen më të sigurtë në Austri se në vende të tjera. Kjo është mirë për ne, por edhe për ta”, thotë përfaqësuesi i policisë austriake.

Kroacia dërgoi të paktën 1 mijë emigrantë të premten me trena dhe autobuzë drejt Hungarisë, pasi u deklarua se Kroacia nuk mundet të regjistrojë apo sistemojë më shumë të ardhur.

Pasi 17 mijë emigrantë hynë në Kroaci në vetëm tre ditë, Kryeministri kroat Zoran Milanovic tha se vendi i tij nuk do t’i mbyllë kufijtë, por do t’i drejtojë emigrantët drejt Hungarisë.

“Pra, nuk do të jetë e mundur të qëndrojnë në Kroaci. Do t’u ofrojmë ujë, ushqim, dhe trajtim shëndetësor nëse do të jetë e nevojshme. Pastaj do të vazhdojnë më tej”, tha kryeministri kroat.

Kjo situatë pritet të vazhdojë derisa udhëheqësit e Bashkimit Evropian të bien dakort për një plan sipas të cilit refugjatët do të shpërndahen ndërmjet vendeve anëtare, madje edhe në vendet që nuk dëshirojnë një përcaktim kuotash të detyrueshme.

XS
SM
MD
LG