Lidhje

Alexis Tsipras fiton zgjedhjet në Greqi


Mbështetësit e partisë së majtë Syriza në Greqi përshëndetën sot fitoren e papritur të udhëheqësit të tyre Aleksis Tsipras në zgjedhjet e djeshme, i cili mori një mandat të qartë për të drejtuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Analistët janë të befasuar nga fitorja bindëse e zotit Tsipras.

Zgjedhjet i siguruan udhëheqësit më majtist të Evropës vazhdimin e dominimit politik në Greqi, pavarësisht se muajin e kaluar ai u braktis nga radikalët e partisë së tij, pasi iu nënshtrua kërkesave për masa shtrënguese në shkëmbim të një pakete shpëtimi nga eurozona.

"Të gjithë, duke përfshirë edhe veten time, votuan për Syrizën, sepse nuk kishte alternativë tjetër. Ne i kemi provuar gjithë të tjerët. Syriza ka oreks për punë. Unë nuk besoj se Tsipras mund të bënte më shumë se ajo që ka bërë deri tani. Populli i dha një shans tjetër, të shohim se çfarë do të bëjë tani e tutje", thotë Fotini Diakomidou, punonjëse turizmi.

Pas fitores në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura dje, Alexis Tsipras u takua sot me anëtarët e krahut të majtë të partisë së tij Syriza për të diskutuar formimin e qeverisë së re greke. Ai pritet të formojë një koalicion qeverisës me partinë e vogël të krahut të djathtë, Grekët e Pavarur, i njëjti partner me të cilin ai formoi qeverinë pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme në janar. Ndërkohë, partia konservatore Demokracia e Re e zotit Vangjelis Meimarakis pranoi humbjen.

"Unë votova për Demokracinë e Re, por populli grek zgjodhi zotin Tsipras kështu që ndoshta ai është më i përshtatshëm për këtë punë. Çfarë mund të them?" thotë pensionisti nga Athina, Konstaninos Pikos.

Megjithatë, nëpunësi civil në pension Leonidha Kapeles thotë se sheh vetëm dëshpërim përpara:

"Dëshpërim sepse njerëzit duket se nuk e kanë kuptuar se çfarë po ndodh, ata nuk e dinë se për çfarë kanë votuar. Grekët po përsërisin gabimet e tyre. Më vonë ata do të kuptojnë gabimin," thotë ai.

Analisti politik i Qendrës për Politikat Evropiane, Janis Emmanoulidis thotë se është i befasuar nga fitorja bindëse e kryeministrit Tsipras dhe partisë së tij të majtë Syriza.

"Kjo i forcon pozitat e zotit Tsipras në vend, e bën atë më të fortë dhe i jep atij një mandat të qartë. Kjo është fitorja e tij e tretë brenda vitit, pas zgjedhjeve të janarit dhe referendumit të muajit korrik. Tani ai ka marrë një mandat të ri. Në skenën e brendshme, ai është figura kryesore politike. Sa i përket marrëdhënieve me partnerët e BE-së, unë nuk mendoj se fitorja e zgjedhjeve e ka forcuar pozitën e tij. Gjërat kryesore janë negociuar në korrik dhe gusht. Tani ajo që ka mbetur është zbatimi i shumicës së gjërave për të cilat është rënë dakord".

Zgjedhjet e djeshme në Greqi u organizuan pasi kryeministris Tsipras dha dorëheqjen muajin e kaluar, për t'u përballur me një rebelim të brendshëm politik nga anëtarët e partisë së tij, të cilët ishin të zemëruar me vendimin e zotit Tsipras për të pranuar kushtet evropiane në shkëmbim të një pakete tjetër shpëtimi.

XS
SM
MD
LG