Lidhje

Pas largimit të kryetarit John Boehner


Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan do të ketë udhëheqje të re pas njoftimit surprizë të zotit John Boehner se po jep dorëheqjen nga posti i kryetarit. Zoti Boehner tha të premten se po largohet nga politika në fund të tetorit si rezultat i trazirave të shumta lidhur me udhëheqjen e tij.

Anëtar i Kongresit qysh në vitin 1990, zoti Boehner ka qënë nën presion nga vija e ashpër e partisë së tij republikane për një numër çështjesh. Ka patur zëra që këta anëtarë kërcënuan se do të kërkonin votim sfidues për rolin e zotit Boehner si drejtues.

Në konferencën e shtypit të premten, zoti Boehner tha se nuk druhej nga një votim i tillë por se ky veprim nuk qe i mirë për Dhomën e Përfaqësuesve.

“Tani e kam të qartë se këto pakënaqësi të stërgjatura do të sillnin dëme të pariparueshme tek institucioini. Kështu që njoftova kolegët e mi se do të jap dorëheqjen nga drejtimi dhe nga Kongresi në fund të tetorit.”

Presidenti amerikan Barack Obama, duke folur në një konferencë shtypi me homologun kinez, e quajti lajmin shokues dhe tha se i kishte telefonuar zotit Boehner sapo mori vesh njoftimin. Ai e quajti “njeri të mirë” kundërshtarin e tij politik.

“Dihen mosmarrëveshjet tona dhe politikisht jemi në polet e kundërta. Në marrëdhëniet me mua ai ka qënë gjithmonë i respektueshëm dhe ka mbajtur fjalën për angazhimet e ndërmarra. Më e rendësishmja është se ai e kupton se në qeverisje nuk arrin 100 përqind të atyre që dëshiron por duhet të punosh me ata që ke mospajtime, shpesh të shumta, për të mirën e popullit.”

Zoti Boehner ishte i përfshirë të premten në takime në përpjekje për të arritur kompromis me kundërshtarët konservator për të mënjanuar veprime të mundshme që mund të çojnë në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale, kur përfundon buxheti për këtë vit.

Konservatorët kanë kushtëzuar miratimin e buxhetit me heqjen e fondeve për të ashtuquajturin program të “Planifikimit Familjar”, një argument i hedhur poshtë nga ligjvënësit më pragmatik.

Posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve është i dyti në rradhë për të marrë udhëheqjen e qeverisë amerikane nëse presidenti dhe zëvendës presidenti nuk janë në gjendje për të vazhduar drejtimin.

XS
SM
MD
LG