Lidhje

Zbulohet sasi e madhe marijuane në juglindje


Policia e Korçës tha se zbuloi rreth 900 kilogramë lëndë narkotike marijuane gjatë një operacioni në zonën rurale të Pojanit, sasia më e madhe e sekuestruar kohëve të fundit.

Policia tha se arrestoi katër persona lidhur me kultivimin dhe transportimin e lëndës narkotike. Personat e arrestuar janë banorë të zonës të përfshirë sipas hetimeve paraprake në këtë aktivitet kriminal.

Policia nuk ka dhënë detaje për destinacionin e lëndës narkotike të bllokuar.Pak ditë më parë pamje filmike të vatrave të mbjella me marijuanë në zonën juglindore u transmetuan në median kombëtare por policia nuk dha sqarime. Policia gjatë javëve të fundit nuk ka njoftuar operacionet në terren edhe në zonat jugore për shkatërrimin e sipërfaqeve me marijuanë.

Një zyrtar lokal i policisë në Tepelenë deklaroi pak muaj më parë gjatë një takimi me drejtues vendorë të kësaj bashkie se rreth 140 vatra me narkotikë ishin zbuluar në këtë rreth nga monitorimi nga ajri dhe do të asgjësoheshin.

Sasia më e madhe e lëndës narkotike që kultivohet në rajon transportohet drejt Greqisë fqinje nga grupet e trafikantëve. Këto grupe përdorin pikëkalimet kufitare por edhe brezin e kufirit tokësor dhe detar mes të dy vendeve për të transpotuar marijuanën.

XS
SM
MD
LG