Lidhje

Kriza e refugjatëve dhe zgjedhjet në Austri


Fluksi i refugjatëve dhe emigrantëve drejt Evropës ka shkaktuar rritje të mbështetjes për partitë politike që janë kundër emigracionit. Në Austri, Partia e Lirisë e krahut të djathtë mund të fitojë për herë të parë në zgjedhjet lokale të 11 tetorit në Vjenë, e cila është qeverisur për dekada nga social-demokratët.

Mijërat e refugjatëve dhe emigrantëve që kaluan kufijtë e Austrisë u mirëpritën fillimisht krahë hapur.

Por, me afrimin e zgjedhjeve lokale, politikanët e krahut të djathtë po përfitojnë prej frikës ndaj të huajve, shumica e të cilëve janë myslimanë.

“Ata janë duke përfituar prej frikës ndaj emigrantëve. Është qesharake pasi jemi një ndër vendet më të pasura. Nuk ka kuptim,” thotë një punonjëse teatri.

Vjena, si shumë kryeqytete evropiane, krenohet me një trashëgimi të pasur kulturore, arkitekturore dhe historike, si dhe me diversitetin kulturor dhe politikat e majta.

Por, ashtu si në pjesën më të madhe të Evropës, politika po anon drejt së djathtës duke ngjallur shqetësim.

“Jemi të frikësuar për zgjedhjet që po afrojnë, pasi partia e krahut të djathtë gëzon popullaritet në Austrinë e sipërme. Ka mundësi të fitojnë dhe kjo na shqetëson,” thotë Ashley Winker, e organizatës së ndihmave për refugjatët, Treni i Shpresës.

Partia e Lirisë thotë se do të mbrojë kulturën austriake dhe Evropën prej islamizimit dhe mesazhi i saj po zë vend.

Sondazhet tregojnë se janë në të njëjtin nivel popullariteti me social-demokratët, të cilët kanë qeverisur Vjenën që nga Lufta e Dytë Botërore.

Partitë e majta po reagojnë kundër mesazhit anti-islamik dhe anti-emigracion të Partisë së Lirisë.

“Janë shumë radikalë për këtë çështje dhe nuk është gjë e mirë që po përçajnë popullsinë,” thotë Peter Jandrasits, banor i Vjenës.

Vjena ka diversitet të lartë dhe mirëpret miliona turistë çdo vit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojnë nëse ajo do të jetë në gjendje të ruajë imazhin mikpritës.

XS
SM
MD
LG