Lidhje

Kosova nënshkruan më 27 tetor MSA-në me BE-në


Dy vjet pas fillimit të negociatave, Kosova pritet të nënshkruajë javën që vjen marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në

Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i marrëveshjes që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i jap fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në korrik të vitit 2014 Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, nënshkrimi i së cilës, sipas ministrit sllovak të punëve të jashtme, Miroslav Lajçak, pritet të ndodhë më 27 tetor në Strasburg.

Kosova ishte ngecur në këtë proces për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, më vonë u arrit pajtimi që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare, siç ka ndodhur me vendet tjera.

Mungesa e këtij konsensusi ka bërë që Kosova të jetë prapa të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimorë në proceset integruese. Qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen.

Nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim asociim, ndodhë në një periudhë kur autoritetet po përballen më kritika të ashpra nga partitë opozitare të cilat kanë bllokuar tash e një muaj edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Mospajtimet më të thella pasuan marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që parasheh një shkallë të gjerë autonomie për këtë komunitet. Partitë opozitare kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet që i shohin si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Por, autoritetet në Serbi janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre përmban një numër të artikujve që paragjykojnë statusin e Kosovës dhe janë të drejtuara kundër interesave kombëtare serbe. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk përmendet prerazi njohja e Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë.

XS
SM
MD
LG