Lidhje

Kosova nënshkruan MSA-në me BE-në


Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan të martën në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit

Në mesditën e së martës, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, duke shënuar kësisoj edhe hapin e parë të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në një ceremoni në Strasburg, përmbylli negociatat për këtë marrëveshje që filluan në tetor të vitit 2013. Në korrik të vitit 2014, Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që paraqet hapin e parë zyrtar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Kosova nënshkroi MSA-në me BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Marrëveshja për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian u sigurua pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se kjo është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, theksoi kryeministri Mustafa.

Shefja e politikës së jashtme të bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pret që marrëveshja të hyjë në fuqi sa më parë që është e mundur. “Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë” tha ajo.

Komisioneri i BE-së për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, tha zoti Hahn.

Bashkimi Evropian është zotuar të mbështes Kosovën në rrugëtimin e saj evropian nëpërmjet procesit të stabilizim asociimit, një politikë e ngritur për nxitjen e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe bashkëpunimin rajonal. Marrëveshjet e stabilizim asociimit janë pjesë thelbësore e këtij procesi. Për të mbështetur reformat e domosdoshme, Bashkimi Evropian ka ndarë 11.7 miliardë euro për ndihmë para anëtarësimit për Ballkanin Perëndimorë dhe Turqinë, për periudhën ndërmjet viteve 2014 – 2020, nga të cilit 645.5 milion euro janë ndarë për Kosovën.

Jahjaga: Ditë historike për Kosovën

Nënshkrimi i marrëveshjes u mirëprit nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se kjo është një ditë historike për Kosovën.

Përmes kësaj marrëveshje, Kosova sot nisë rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit. Uroj përzemërsisht qytetarët e Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë. Arritëm këtu, deri te kjo ditë historike për Kosovën, me angazhim të gjerë të qytetarëve, institucioneve, spektrit politik, shoqërisë tonë civile, komunitetit të biznesit e shumë segmenteve tjera të shoqërisë”.

Duke theksuar se nga sot, Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, marrëdhënie kjo me të drejta dhe detyrime të ndërsjella, presidentja Jahjaga tha në një komunikatë se “kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Kosova ka një rrugë të gjatë përpara që kërkon shumë përpjekje nga ana jonë deri në cakun final të anëtarësimit. Ne jemi përcaktuar në anën e drejtë të historisë dhe kemi përqafuar vlerat dhe idealet e paqes e lirisë. Kjo rrugë tashmë është e qartë, reciproke dhe e pakthyeshme”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.

Diplomatët amerikan dhe evropian – mirëpresin MSA-në

Ambasada amerikane uron qeverinë e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së. “Pasi që të miratohet nga parlamenti dhe të zbatohet, MSA-ja do të ofrojë përfitime të prekshme për popullin e Kosovës. Ajo përfaqëson një përparim të vërtetë në integrimin në institucionet evropiane dhe transatlantike”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, thanë se nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes është një e arritur e rëndësishme për Kosovën si dhe për BE-në. “Rëndësia e saj, në kuptim të së ardhmes evropiane të Kosovës dhe e vlerave dhe legjislacionit që e përbëjnë atë, nuk duhet të nënvlerësohet. Ne do të mbesim të gatshëm për të ndihmuar Kosovën në hapat që kërkohen drejt rrugës së saj evropiane.”

Në reagimin e tyre thuhet se të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur rregullisht angazhimin e tyre drejt rrugës evropiane të Kosovës dhe përafrimit të saj me vlerat e BE-së dhe sundimin e ligjit.

Megjithatë, respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e sundimit të ligjit nuk mund të jenë përzgjedhëse dhe të kushtëzuara nga vlerësimi subjektiv i dikujt dhe zbatimi i atij vlerësimi. Përdorimi i dhunës nuk ka vend në aktivitetet politike. Ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike që opozita mund t’i përdorë për të ngritur zërin e saj, dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjëra prej tyre. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t’iu kthyer dialogut politik në nivel të institucioneve dhe të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për vlera evropiane me vepra, e jo me fjalë”, thuhet mes tjerash në reagimin e përbashkët të diplomatëve evropian.

AAK: Hap i rëndësishëm, por...

Marrëveshja u mirëprit edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë. Në reagimin e saj thuhet se “megjithëse MSA-ja e nënshkruar sot në Strazburg nuk është plotë, siç ka qenë për vende tjera, ajo është rezultat i një përpjekjeje të disa brezave qeverisës të Kosovës, prandaj si e tillë është një hap i rëndësishëm. Nënshkrimi i MSA-së jo domosdoshmërisht është garanci për rrugë të shpejt për anëtarësim në BE, sepse anëtarësimi në BE është drejtpërdrejt i ndërlidhur me nivelin e qeverisjes së brendshme dhe demokratizimin në tërësi”.

Duke përmendur shembujt e vendeve të rajoni që kanë kaluar nëpër periudha të gjata negocimi, Aleanca tërheq vërejtjen se “Kosova është e fundit që e nënshkruan këtë marrëveshje dhe institucionet e Kosovës do të kenë sfida të mëdha para vetes në plotësimin e kritereve që i kërkon kjo marrëveshje. Pika më e dobët e Kosovës aktualisht është cilësia e qeverisjes, për përmirësimin e së cilës AAK është e vendosur”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

MSA dhe kriza politike

Nënshkrimi i marrëveshjes, ndodhi në një periudhë kur autoritetet po përballen me përplasje me partitë opozitare të cilat kanë bllokuar tash e më shume se një muaj edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Mospajtimet më të thella pasuan marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që parasheh një shkallë të gjerë autonomie për këtë komunitet.

Partitë opozitare kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet që i shohin si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës. Skena dhune përshkuan punën e parlamentit natën e se premtes duke thelluar mospajtimet.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga javën e kaluar filloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, ndërsa është shprehur e gatshme që të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi pret që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim. Por, autoritetet në Serbi janë shprehur të pakënaqura me përmbajtjen e kapitullit të 35-të të këtyre negociatave që sipas tyre përmban një numër të artikujve që paragjykojnë statusin e Kosovës dhe janë të drejtuara kundër interesave kombëtare serbe. Sipas zyrtarëve serb, në kapitullin e 35-të nuk përmendet prerazi njohja e Kosovës nga Serbia, por kapitulli e nënkupton këtë gjë.

XS
SM
MD
LG