Lidhje

Ambasadori amerikan viziton Spacin


Donald Lu: Një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë, dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje

Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu, vizitoi ish burgun e Spacit një prej kampeve më të tmerrshëm të ngritur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës ku humbën jetën shumë të dënuar të konsideruar kundërshtarë të regjimit. “Mbetëm të tronditur nga ironia e përplasjes së dëshmisë të brutalitetit njerëzor me bukurinë e peisazhit mahnitës malor të kësaj zone”, shkruan zoti Lu në faqen e Facebook-ut të ambasadës duke theksuar se “vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë, dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje”.

Duke ju referuar një citimi të Maya Angelou-s, një shkrimtareje dhe aktivisteje amerikane të të drejtave të njeriut, sipas së cilës “historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish”, ambasadori amerikan shkruan se “dua t’i nxis të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”.

Sot gjendja e burgut është tërësisht e rrënuar dhe pak gjë nga mbetur nga e shkuara. Në Shqipëri, ka patur disa përpjekje për ta transformuar atë në një institucion modern të kujtesës, kryesisht nga ish të dënuar, por që deri më tani kanë mbetur të kufizuara. Pak ditë më parë, Fondi Botëror i Monumenteve, një organizatë e përkushtuar për ruajtjen e vendeve unike kulturore, vendosi të përfshijë këtë vit në listën e objekteve të rrezikuara edhe ish burgun e Spacit. Sipas organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij “përfshirja në listën e Fondit Botëror të Monumenteve “përfaqëson një mundësi unike për promovimin dhe ruajtjen e tij, veçanërisht duke e ekspozuar kampin dhe çështjet e ndërlidhura me të në vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare të specialistëve, mbështetësve dhe donatorëve”.

XS
SM
MD
LG