Lidhje

Mianmar: Partia e nobelistes Aung San Suu Kyi fiton zgjedhjet


Në Mianmar, partia në pushtet pranoi humbjen në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që opozita e udhëhequr nga Aung San Suu Kyi duket se ka arritur një fitore të thellë dhe mund të formojë qeverinë e ardhshme të vendit. Këto janë zgjedhjet e para të lira në këtë vend të Azisë Juglindore në një çerek shekulli.

Ishin zgjedhjet e para të përgjithshme në Mianmar që nga viti 2011, kur sundimi i gjatë ushtarak ia la pushtetin qeverisë gjysmë civile të Presidentit Thein Sein, duke shënuar fillimin e një periudhe reformash dhe hapjeje ndaj investimeve të huaja.

Komisioni zgjedhor fillimisht shpalli se partia e udhëheqëses së opozitës, Aung San Suu Kyi, Lidhja Kombëtare për Demokraci, kishte fituar 12 vendet e para të parlamentit.

Vetë kjo parti njoftoi se nga numërimi i bërë në secilën qendër votimi, ajo mund të merrte më shumë se 70 përqind të vendeve në parlament, mbi dy të tretën që duhej për të formuar qeverinë. Kjo do të ishte qeveria e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike që nga fillimi i viteve 1960.

Nobelistja 70-vjeçare Aung San Suu Kyi u bëri thirrje përkrahësve që të ishin të durueshëm dhe të prisnin rezultatet zyrtare. Ajo u kërkoi atyre që të mos i provokonin rivalët.

Zëdhënësi i Lidhjes, Win Htein tha se partia në fuqi, e përbërë nga pjestarë të ish diktaturës ushtarake, duhet të pranojë rezultatin. Ai tha se në rajonet qendrore të vendit me popullsi të madhe, Lidhja Kombëtare për Demokraci, dukej se kishte fituar më shumë se 90 përqind të votave.

Në zgjedhjet e djeshme të Mianmarit për të dyja dhomat e parlamentit dhe për asambletë rajonale ishin regjistruar të merrnin pjesë rreth 32 milion njerëz. Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja ishte 80 përqind.

Lidhja Kombëtare për Demokraci duhet të fitojë më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament për të formuar qeverinë dhe për të zgjedhur presidentin.

Vetë zonja Aung San Suu Kyi nuk mund të zgjidhet presidente sepse bashkëshorti i saj, i cili nuk jeton, ka qenë shtetas britanik. Edhe dy djemtë e saj janë britanikë. Kushtetuta birmane nuk lejon dikë të martuar me shtetas të huaj ose me fëmijë që kanë shtetësi të huaj, të bëhet president.

Por ajo ka thënë se nëse partia e saj i fiton zgjedhjet, ajo do të marrë një rol në qeveri që do të jetë mbi atë të presidentit.

Në zgjedhjet e vitit 1990, Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi me shumicë dërrmuese, por junta ushtarake nuk i përfilli rezultatet.

XS
SM
MD
LG