Lidhje

Paris, vriten dy terroristë të dyshuar


Presidenti francez Francois Hollande tha sot se vendi i tij është në luftë me terrorizmin nga grupi Shtetit Islamik dhe dëshiron të ndërtojë një koalicion të gjerë për të vënë në shënjestër militantët e tij. Ai foli pak pas një operacioni shtatë-orësh të policisë në periferi të Parisit që përfundoi me dy të vdekur dhe shtatë të arrestuar.

Presidenti Francois Hollande i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar sot të lerë mënjanë interestat ndonjëherë përçarëse kombëtare dhe të bashkohet në një koalicion kundër grupit Shteti Islamik.

"E di shumë mirë që jo të gjitha vendet kanë interesa të njëjta, apo të njëjtat ide, ose domosdoshmërisht të njëjtët aleatët. Por ajo që është e rëndësishme këtu është t’i jepet fund, të shkatërrohet një ushtri që kërcënon të gjithë botën dhe jo vetëm disa vende më shumë se të tjerët," tha presidenti Hollande në një takim me kryetarët e komunave të qytetit."Këto veprime konfirmojnë edhe një here se jemi në luftë.”

Ai foli pak kohë, pas një operacioni shtatë-orësh të policisë në lagjen Saint-Denis në periferi të Parisit, që përfundoi me dy të vdekur dhe shtatë të arrestuar. Fati i organizatorit të dyshuar për sulmin e së premtes në kryeqytetin francez nuk është ende i qartë.

Prokurori i Parisit Francois Mollins konfirmoi se zyrtarët ishin në kërkim të Abdelhamid Abaaoud-it, një shtetas belg me origjinë marokene, por ai nuk konfirmoi në se Abaaoud ishte në vendngjarje.

Prokurori Mollins u tha gazetarëve se sulmi ndodhi pas përgjimit të telefonave që i bënë autoritetet të besonin se Abaaoud mund të ishte në Saint-Denis, që është pranë stadiumit të futbollit, një nga qendrat e sulmeve terroriste të javës së kaluar.

Zyra e prokurorit publikoi një deklaratë më parë ku thuhej se ndër të vrarët ishte një grua që hodhi veten në erë dhe një tjetër militant. Shtatë të tjerë u arrestuan gjatë operacionit që kishte si objektiv një apartament në pjesën qëndrore të qytetit.

Autoritetet franceze dhe belge kanë nxjerrë një urdhër arresti për një tjetër person - Salah Abdeslam, i lindur në Belgjikë, vëllai i të cilit ishte mes sulmuesve që u vranë të premten. Autoritetet janë edhe në kërkim të të dyshuarve të tjerë të lidhur me sulmet e 13 nëntorit, nga të cilat gjetën vdekjen 129 vetë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha dje se militantët e Shtetit Islamik do të ndjejnë një presion më të madh gjatë javëve të ardhshme ndërsa Shtetet e Bashkuara, Franca dhe aleatë të tjerë shtojnë përpjekjet kundër tyre.

Uhdëheqësi francez do të takohet me presidentin Obama në Uashington më 24 nëntor për të diskutuar mënyrat për të bashkërenduar fushatën kundër Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG