Lidhje

Goditet rrjeti i drogës në Tiranë


Arrestohen 26 persona që tregtonin dhe shpërndanin heroinë dhe kokainë. Policia: operacioni më I gjerë I viteve të fundit. Në Bari të Italisë sekuestrohen 1.6 ton marijuhanë në një kamion të nisur nga Shqipëria.

Në Tiranë, policia njoftoi mbrëmë shkatërrimin e një grupi narkotrafikantësh që vepronte në kryeqytet. 26 persona anëtarë të rrjetit të shpërndarjes së heroinës dhe kokainës u arrestuan, 5 të tjerë po ndiqen në ngjendje të lirë, ndërsa 4 pjestarë të grupit janë shpallur në kërkim.

Policia tha se ka realizuar “operacionin më të gjerë anti-drogë të kryer vitet e fundit në Shqipëri” dhe se ka mundur të shkatërrojë “një ndër grupet më të strukturuara të shpërndarjes së narkotikëve, duke nisur nga organizatorët, koordinatorët dhe shpërndarësit e drogave të forta në rrugët e kryeqytetit”.

Sipas prokurorisë e cila ka zhvilluar hetime për një periudhë 6-mujore “ky grup kriminal ka vepruar në disa zona të Tiranës, si “Shkolla e Bashkuar”, rruga “5 Maji”, “Tirana e Re”, rruga “Fortuzi”, lagjia “Laprakë”, dhe zonë e ish-Bllokut”. Për një periudhë 2 vjeçare mendohet se ky grup ka shpërndarë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 900 mijë euro.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale; 1.05 kg heroinë, 180 doza kokainë, një armë pistoletë, 10 automjete, 30 telefona celularë; 10 mijë euro, si dhe një peshore elektronike”, deklaroi Ervin Hoxha, drejtor i Policisë së Tiranës.

Kreu i këtij rrjeti rezulton të jetë Julian Bushati, i cili siguronte periodikisht drogë në sasinë e 100 deri në 200 gramë nga persona të tjerë për të cilët nuk jepen detaje. Sasia e heroinës përpunohej në banesën e tij ku kishte përshtatur një mini-laborator ku droga përpunohej duke u përzierë me përbërës të tjera, duke rritur kështu dhe sasinë që përfundonte më pas në shitje.

Ndërkohë po dje në Bari të Italisë, policia zbuloi 1.6 ton marijuhanë, e fshehur në një kamion të imbarkuar në Shqipëri, e që drejtohej nga dy shqiptarë të cilët u arrestuan. Pavarësisht operacioneve masive të policisë shqiptare kundër kultivimit të cannabis sativas, trafikantët duket se kanë arritur të sigurojnë sërish sasira të mëdha. 10 ditë më parë në Vlorë policia shqiptare sekuestroi 800 kilogram marijuhanë e cila mendohet se do të transportohej në Itali. Ndërsa muajin e shkuar, në dy operacione të vecanta, në qytetin e Durrësit, e sekuastruan mbi 1.7 ton të tjera marijuanë.

XS
SM
MD
LG