Lidhje

Terrorizmi, Nishani: Të gatshëm për cdo rrezik


Presidenti mblodhi në mbrëmje Këshillin e Sigurisë Kombëtare: Nuk ka vend për panik. Janë ngritur dhe janë plotësisht operacionalë mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme.

Ndërsa një numër i madh vendesh, jo vetëm në Europë janë përfshirë nga ankthi i sulmeve të mundshme terroriste, pas atentateve të javës së shkuar në Paris, në mbrëmje në Tiranë, për afër 100 minuta, krerët më të lartë të shtetit dhe drejtuesit e institucioneve të lidhura me cështjet e sigurisë, u mblodhën në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, të thirrur nga kreu i Shtetit Bujar Nishani.

Edhe forcat e shumta që ruanin zyrat e Presidencës, ishin një konfirmimim i rëndësisë së kësaj mbledhjeje dhe e seriozitetit të situatës në të cilën ndodhet dhe Shqipëria. Menjëherë pas sulmeve terroriste në Paris, edhe në Shqipëri pati një rritje të menjëhershme të nivelit të sigurisë, me kontrolle të përforcuara në rrugë, pranë institucioneve qëndrore dhe në pikat kufitare.

Dy ditë më parë, pas disa sinjalizimeve nga shërbimet sekrete, këto masa u shtuan vecanërisht në Tiranë, ku u vu re një prani më e madhe e forcave të sigurisë pranë godinave qeveritare, qendrave tregtare por edhe në rrugë, ku njësitë e policisë lëvizin me armatime më të rënda se zakonisht.

“Presidenti Nishani nënvizoi nevojën se në këtë lloj situate institucionet e shtetit duhen të lëshojnë mbi të gjitha mesazhe të palëkundura garancie dhe stabiliteti për t’i siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur dhe janë plotësisht operacionalë mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme”, theksohet në njoftimin e shpërndarë nga kreu i shtetit, në orët e vona të mbrëmjes.

Në takim merrte pjesë kryeministri Edi Rama dhe disa anëtarë të kabinetit, që nga ministri i Jashtëm, ai i Brendshëm, i Financave, i Energjitikës, i Transporteve dhe ai i Drejtësisë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Jeronim Bazo dhe drejtori i Shërbimit Informativ Visho Ajazi, kanë bërë një paraqitje të masave të marra, të bashkëpunimit me agjencitë partnerë dhe rreziqet me të cilat mund të përballet vendi. Kreu i Shtetit nga ana e tij, “pasi vuri në dukje dimensionin politik dhe ideologjik të kësaj lufte të re, theksoi se në këtë situatë kërcënuese, edhe Shqipëria si anëtare e NATO-s, vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe aleat i koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit ka detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përkatëse”, saktëson njoftimi.

“Presidenti Nishani vlerësoi masat e marra nga qeveria si dhe angazhimet shumë serioze të agjencive ligjzbatuese në vend për të bashkërenduar veprimet konkrete edhe me partnerët në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”, ndërsa “vuri në dukje se në vijim të konkluzioneve të Këshillit Evropian për luftën kundër terrorizmit, Shqipëria është plotësisht e angazhuar për kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të fluksit të korridorit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonale për këtë qëllim”.

Shqipëria është ndër vendet, të cilat iu bashkuan që në fillim koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit, ndërkohë që ajo nuk ka mbetur e paprekur nga propaganda e Shtetit Islamik. Janë afër 140 shqiptarë të cilët mendohet se kanë shkuar në Siri për të luftuar në krah të ISIS-it. Afër 40 prej tyre janë kthyer. Policia ka deklaruar se ajo po mban nën mbikqyrje të gjithë personat të cilët vlerësohet se mund të paraqesin rrezikshmëri.

XS
SM
MD
LG