Lidhje

Nënpresidenti Biden në Zagreb


Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën në Zagreb se Ballkani është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Nënpresidenti Biden po merr pjesë në samitin Bërdo-Brioni, që është një nismë e përbashkët e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.

Ai e vlerësoi nismën që siç tha, po arrin të mbledhë rreth së njëjtës tryezë të gjithë presidentët e shteteve të rajonit.

"Për Shtetet e Bashkuara, për mua dhe për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ky rajon tash e 25 vjet është i një rëndësie të posaçme”, u tha gazetarëve në Zagreb nënpresidenti Biden, pas takimit me presidentin slloven Borut Pahor.

Në një konferencë më gazetarë në përfundim të takimit, ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj integrimit të rajonit në strukturat evropiane.

Atifete Jahjaga dhe Joe Biden
Atifete Jahjaga dhe Joe Biden

"Kufijtë e Evropës duhet të bashkojnë vendet e kësaj pjese të Evropës. SHBA ka ndarë më shumë se 130 milionë dollarë për shtetet e rajonit për anëtarësim në NATO. Dyert e NATO-s mbeten të hapura. Kroaci dhe Sllovenia e kanë dëshmuar se kjo është e mundur. Mbështesim anëtarësimin në NATO të të gjitha vendeve të rajonit. Përshëndesim hapat e Serbisë dhe Kosovës drejt dialogut konstruktiv. Bashkimi Evropian po e ndihmon këtë dhe ky është një hap historik. Bosnja dhe Hercegovina është shembull i ngecjes, reformat po zgjasin. Shpresojmë se do të ketë përparim edhe në Maqedoni dhe se do të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë”, tha nënpresidenti Biden.

Ai foli edhe për krizën e refugjatëve si një ngarkesë për rajonin. “BE po organizon takim në Turqi, ndërsa Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen edhe më shumë. Kemi dhënë 4 miliardë dollarë për të ndihmuar refugjatët nga Siria. Është me rëndësi bashkëpunimi në këtë çështje sikurse edhe në luftën kundër terrorizmit. Do të ndihmojmë BE-në dhe do të përpiqemi të pengojmë hyrjen e terroristëve”, tha mes tjerash nënpresidenti Biden.

Për vëzhguesit në Ballkan, prania e zotit Biden në takimin e Zagrebit ku përveç vendeve të dala nga ish Jugosllavia po merr pjesë edhe Shqipëria, është dëshmi e përtëritjes së interesimit të Shteteve te Bashkuara për rajonin, një pjesë e vendeve të të cilit po përballen me tensione edhe për shkak të krizës së migruesve nga Lindja e Mesme.

XS
SM
MD
LG