Lidhje

Konferenca globale e klimës në Paris


Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Konferencën e Klimës në Paris thonë se deri në vitin 2030, rreth çerek milioni njerëz mund të vdesin si rezultat i ngrohjes globale, pjesa më e madhe e tyre nga kequshqyerja, malaria dhe temperaturat e larta. Delegatët po diskutojnë mbi nevojën që vendet e zhvilluara të bëjnë më tepër për vendet në zhvillim, që edhe ato të arrijnë objektivat e vendosura për nivelet e gazit karbonik dhe për të lehtësuar vuajtjet e popujve të tyre.

Pasi u larguan kryetarët e shteteve, delegatët kanë filluar të punojnë për detajet e një strategjie kundër ngrohjes globale.

Demonstrues jashtë ndërtesës ku mbahet konferenca kanë një ide të qartë për masat që duhen marrë.

"Ne duam që udhëheqësit të heqin dorë nga hidrokarburet. Ne presim që ata t’i heqin të gjitha subvencionet; lëvizja për energji të pastër është më e gjerë se kaq dhe ne presim që institucionet të mos financojnë më industri shkatërrimtare, si ato që përdorin si burim energjie hidrokarburet”, thotë Clemence Dubois, aktiviste.

Brenda në sallën e konferencës, diskutimet u dëgjuan me dashamirësi.​

"Të gjithë ne duhet të marrim masa për këtë çështje, sfida më e madhe e kohës sonë. Heqja dorë nga hidrokarburet nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe racionale nga ana ekonomike”, thotë Stephen Heintz, me fondin Rockefeller Brothers.

Por për vendet në zhvillim, pakësimi i varësisë tek qymyri dhe hidrokarbure të tjera si burim energjie dhe kalimi tek teknologjitë e gjelbra më të kushtueshme, nuk është diçka e lehtë të zbatohet.

Vendet më të pasura duhet të ndërhyjnë për ta lehtësuar barrën e vendeve më të varfëra që të arrijnë objektivat e caktuara për ndotjen. Ky ishte mesazhi i udhëheqësit indian në fillim të takimit.​

“Vendet e pasura përsëri kanë ndikim tek përdorimi i hidrokarbureve. Janë investuar miliarda dollarë për investime në këtë industri. Pra, zgjedhjet që duhen bërë nuk janë të lehta. Por ne jemi të informuar dhe e kemi teknologjinë e nevojshme. Tani na duhet vullnet nga vendet e ndryshme dhe partneritet i vërtetë global”, tha Narendra Modi, kryeministër i Indisë.

Teknologjia e gjelbër është ekspozuar në qytetin Loos-en-Gohelle në Francën veriore, dikur një rajon që prodhonte qymyr. Në më pak se dy dekada, minierat e qymyrit po zëvendësohen me panelet diellore, sistemet vaditëse me ujin e shiut dhe ndriçimi me energji efiçente.

"E veçanta për Loos-en-Gohelle, është se ne jemi simbol i botës së djeshme me përdorimin e qymyrit dhe kemi kontribuar tek ngrohja globale. Ne kemi nxitur një zhvillim jo të qëndrueshëm, përserisa ndodhemi në situatën e sotme”, tha Jean-Francois Caron, kryetar i bashkisë Loos-en-Gohelle.

Ndërsa delegatët punojnë për një marrëveshje deri në fund të takimit javën e ardhshme, qyteti po shërben si shembull, duke i treguar delegacioneve se e ardhmja e planetit nuk ka arsye të jetë pa shpresë.

XS
SM
MD
LG