Lidhje

Kongresi diskuton për kontrollin e armëve


Gun Control Congress
Gun Control Congress

Demokratët në të dyja dhomat e Kongresit Amerikan përdorën taktika proceduriale në përpjekje për të vepruar ndaj fenomenit që ata e cilësojnë si epidemia e dhunës nga armët. Shumica e demokratëve dhe një numër i vogël republikanësh e mbështesin ligjin e paraqitur nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Peter King, që do të parandalonte blerjen e armëve nga personat e përfshirë nga FBI-ja në listën e ndalim-fluturimit si të dyshuar për terroristë. Por udhëheqësit republikanë në të dyja dhomat e Kongresit e kundërshtojnë ligjin dhe mbështesin idenë për ta hedhur atë në votë.

Vrasjet masive të javës së kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, kanë rindezur debatin për frenimin e dhunës nga armët.

Në Kongres, demokratët u përpoqën ta ngrenë përsëri çështjen e kontrollit të armëve përmes disa votimesh proteste, por pa sukses.

Fokusi këtë herë është tek ligji që do ta lejonte qeverinë të ndalonte shitjen e armëve ndaj njerëzve që FBI-ja i ka përfshirë në listën e të dyshuarve për terroristë. Një numër i madh demokratësh u irrituan nga ky fakt.

“Ligji ka një pasaktësi të madhe, që lejon të blejnë armë personat e përfshirë në listën e ndalim-fluturimit të FBI-së. Në se kemi bindjen se ata nuk duhet të kenë të drejtën të fluturojnë, përse duhet që ata të kenë të drejtën të mbajnë armë?”, tha ligjvënësja Jackie Speier.

Por shumica e republikanëve thonë se Presidenti Barack Obama dhe demokratët në Kongres duhet të fokusohen më shumë tek terrorizmi i frymëzuar nga Shteti Islamik se sa tek kufizimi i së drejtës për të mbajtur armë, që garantohet nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës Amerikane.

“Dua të shprehem qartë: kjo nuk është çështje që ka të bëjë me armët. Kombinimi i të dyjave është veçse një përpjekje e zhurmëshme për të përfituar nga tragjedia dhe kjo është e neveritshme,” tha ligjvënësi republikan Steven Palazzo.

"Do të doja të mbanim një moment heshtje për viktimat”.

Udhëheqësja e demokratëve Nancy Pelosi tha se Kongresi duhet të bëjë më tepër se sa thjesht të mbajë një minutë heshtje pas çdo vrasjeje masive.

“Pasiviteti ynë është i pandershëm. Heshtja është e pakonceptueshme. Si mund të qëndrojmë të heshtur? Mjaft më. Mjaft me dhunën, mjaft me heshtjen.”

Me afrimin e tre-vjetorit të masakrës në shkollën fillore Sandy Hook, ku u vranë 26 vetë, fëmijë dhe mësues, demokratët po i ftojnë republikanët të bashkohen me ta për gjetjen e zgjidhjeve të arsyeshme.

XS
SM
MD
LG