Lidhje

Putin mban fjalimin e fundvitit


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se do të zhvillojë marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.

Në konferencën e tij të përvitshme për shtyp me gazetarë të huaj, zoti Putin tha se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me cilindo president që zgjedh populli amerikan.

Ai tha se bisedimet e tij këtë javë me sekretarin Kerry treguan se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përparojnë me “zgjidhjen çështjeve të cilat mund të kapërcehen vetëm me përpjekje të përbashkëta.”

Në lidhje me Sirinë, zoti Putin tha se operacionet ushtarake ruse do të vazhdojnë, deri në fillimin e një procesi politik. Ai tha se vetë populli sirian duhet të vendosë se kush do ta udhëheqë vendin dhe nuk di në se Rusia duhet të ketë një bazë të përhershme ushtarake në Siri.

Për Turqinë, që rrëzoi kohët e fundit një avion luftarak rus, zoti Putin tha se nuk sheh ndonjë mundësi për kapërcimin e marrëdhënieve të tensionuara me udhëheqjen turke. Ai shtoi se ishte habitur së tepërmi nga fakti që Turqia nuk ishte përpjekur ta shpjegonte veprimin e saj, por i ishte drejtuar NATO-s për ndihmë.

Ndërsa lidhur me Ukrainën, presidenti rus përsëri mohoi që në Ukrainën lindore operojnë trupa ruse. Në atë zonë zhvillohen luftime mes separatistëve pro-rusë dhe trupave qeveritare ukrainase. Por ai shtoi se Moska nuk ka mohuar kurrë që “disa njerëz” kryejnë atje veprime “të sferës ushtarake”. Zoti Putin tha se Rusia nuk ka në plan të vendosë sanksione ndaj Ukrainës, por nuk ka për ta vazhduar më tej statusin e preferuar të tregtisë me Kievin.

Presidenti rus tha se ekonomia ruse “e ka kaluar krizën”, të paktën pikun e saj.

XS
SM
MD
LG