Lidhje

Obama flet mbi përpjekjet kundër terrorizmit


Në konferencën e tij të shtypit, e fundit për këtë vit, Presidenti Barack Obama tha se SHBA vazhdojnë të udhëheqin një koalicion global për të shkatërruar ISIS-in. Ai tha se ISIS ka humbur rreth 40 përqind të zonave të populluara që mbante më parë në Irak dhe vazhdon të humbasë territor në Siri.

Presidenti tha se zyrtarët ligjzbatues dhe ata të zbulimit po kërkojnë mënyra për të monitoruar më mirë komunikimet publike të personave që dyshohen për terrorizëm. Por ai paralajmëroi se ekzistojnë kufizime në atë që mund të bëjnë autoritetet.

Presidenti Obama tha se asnjë qeveri nuk mund ta ketë aftësinë për të lexuar tekstet, emailat dhe mesazhet e çdo njeriu në mediat sociale, nëse ato nuk postohen publikisht.

Ai tha se qeveria mund të përpiqet të vendosë një balancë të drejtë mes përgjimit dhe lirive civile në përpjekjet për të penguar terroristët të planifikojnë ndonjë sulm. Presidenti Obama the se, për mendimin e tij, autoritetet kanë mbajtur drejtpeshimin e duhur.

Ai tha se mbyllja e burgut amerikan në Gjirin Guantanamo në Kubë është pjesë e strategjisë së tij kundër terrorizmit. Sipas tij, kjo qendër parandalimi është magnet për xhihadistët. Komunikimet në internet, tha zoti Obama, tregojnë se grupet ekstremiste e përdorin Guantanamon për të treguar se Amerika është në luftë me fenë islame.

XS
SM
MD
LG