Lidhje

Spanjë, fitojnë konservatorët


Në Spanjë, Partia konservatore në pushtet fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës, megjithatë paraqitja e fortë e dy partive të reja opozitare kërcënon kontrollin e saj në pushtet. Analistët thonë se mund të duhen javë të tëra që negociatorët të vendosin se me çfarë aleance do të qeveriset vendi.

Rezultatet përfundimtare tregojnë se Partia Popullore e kryeministrit Mariano Rajoy ka fituar 123 vende në parlamentin prej 350-anëtarësh, shumë më poshtë se sa shumica prej 186 vendesh që ajo mban tani. Partia e re Ciudadanos fitoi 40 vende.

Partia Socialiste mori 90 vende, ndërsa partia e re Podemos, që është kundër masave shtrënguese ekonomike, 69.

Analistët japin disa skenarë të mundshëm aleancash dhe thonë se mund të duhen javë të tëra që negociatorët të vendosin se me çfarë lloj aleance do të qeveriset vendi.

"Unë besoj se Spanja ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme. Gjatë katër viteve të fundit, ne kemi arritur shumë gjëra. Spanjollët kanë bërë shumë përpjekje. Tani ne duhet të ngulmojmë në ato që kemi bërë gjatë këtyre viteve," tha Kryeministri Rajoy.

Por ndërkohë që sot në mëngjes numëroheshin votat e fundit, po bëhej gjithnjë e më e qartë se ditët e mbizotërimit tradicional të jetës politike spanjolle nga dy parti kanë marrë fund, të paktën përkohësisht.

“Do të kemi shumë punë për të bërë nesër dhe nuk do të jetë e lehtë, por diçka ka ndryshuar. Kurrë më nuk do të ketë një Spanjë pa fshatrat dhe njerëzit e saj. Ne angazhohemi për të mbështetur një kompromis të ri historik për drejtësi sociale dhe dinjitet," thotë Pablo Iglesias, udhëheqës i partisë Podemos.

Ndërsa sipas udhëheqësit të partisë Ciudadanos, Albert Rivera:

"Miliona spanjollë kanë vendosur që ky vend të ndryshojë. Mjaft më nga e kuqja te bluja dhe nga bluja tek e kuqja. Spanja ka ndryshuar. Ne kërkuam ndryshimin, dhe sonte ka më shumë spanjollë që duan ndryshim, më shumë spanjollë që duan të flasin, mbi të gjitha ata duan që ne të pyetemi për reformat dhe ndryshimin."

Votimi i së dielës tregon se spanjollët janë lodhur nga papunësia e lartë dhe nga rastet pafund të korrupsionit zyrtar.

Nëse nuk arrin të formojë qeverinë, kryeministri Rajoy dhe partia e tij në pushtet do të jetë e treta në Evropë që bie këtë vit, pas Greqisë dhe Portugalisë, përballë reagimit të votuesve ndaj masave shtrënguese, duke përfshirë rritjen e madhe të taksave dhe shkurtimet e thella të shpenzimeve.

XS
SM
MD
LG