Lidhje

Stalini rifiton popullaritet në Rusi


Trashëgimia e debatueshme e udhëheqësit sovjetik Josif Stalin po merr një nuancë të re nën Presidentin Vladimir Putin, megjithëse Stalini është përgjegjës për vdekjen e miliona vetëve. Stalini po vlerësohet si një udhëheqës i fortë që solli unitet dhe fitore për Rusinë. Sipas analistëve, edhe vetë Putini do të donte të kujtohej në të njëjtën mënyrë.

Partia Komuniste ruse e kujton përvit ditëlindjen e Stalinit me ceremoni në Sheshin e Kuq të Moskës.

“Në ditët tona kurajoja dhe përvoja e Stalinit, gjenialiteti i tij duhet të frymëzojnë të gjithë zyrtarët qeveritarë, të cilët duan një Rusi të lumtur, dashamirëse dhe vërtetë sovrane”, thotë Genadi Zjuganov, me Partinë Komuniste të Federatës Ruse.

Përkrahësit e Stalinit reklamojnë një anë të trashëgimisë së tij – udhëheqësin e fortë që drejtoi Bashkimin Sovjetik në fitore në Luftën e Dytë Botërore dhe që i bëri ballë Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë.

“Stalini ishte një udhëheqës i madh në historinë ruse dhe sovjetike. Nuk ka pasur udhëheqës që t’ia kalojë,”, thotë Oksana Dzhuga, Artiste.

Por kritikët e Stalinit nuk pranojnë t’i anashkalojnë krimet që bëri, përfshirë vrasjen e mbi 1 milion vetëve gjatë spastrimeve politike. Miliona të tjerë vdiqën në burgje dhe internime si dhe nga urija masive.

“Është vështirë të imagjinosh dikë tjetër që ka ka shkelur kaq rëndë të drejtat e njeriut, ndoshta krahasuar edhe me Hitlerin. Ai ishte një monstër, një pjellë e ferrit. Nuk ishte njeri. Stalini është një njollë e errët mbi historinë ruse dhe botërore”, thotë Galina Petrova, mësuese.

Por Rusia nën Presidentin Putin po sheh një ringjallje të simboleve që lidhen me Stalinin, përfshirë statuja, muzeume dhe propagandë pozitive.

“Putini në një lloj mënyre po e rishkruan historinë. E gjithë kjo bëhet nga vetë synimi i Putinit që të ndërtojë edhe imazhin e tij si një udhëheqës efektiv, shumë i fortë, pikërisht si Stalini”, thotë Andrei Koleshnikov me Qendrën Carnegie në Moskë.

Analisti thotë se aneksimi i Krimesë nga Rusia ka rizgjuar ndjenjat perandorake në Rusi. Ai paralajmëron se ata rusë që harrojnë historinë, i shohin diktatorët si heronj. Por opinioni publik, shton zoti Koleshnikov, ndikohet lehtë dhe ndryshon nga viti në vit.

XS
SM
MD
LG