Lidhje

Shtohet tensioni izraelito-palestinez


Mideast Israel Shooting
Mideast Israel Shooting

Nuk ka shenja për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, madje dhuna në rajon po shtohet. Udhëheqësi i Hamasit në Gazë u zotua dje se palestinezët do ta vazhdojnë kryengritjen derisa të arrijnë objektivat e tyre. Situata ndërlikohet më tej për shkak të armiqësisë ndërmjet kolonëve fetarë hebrenj dhe shtetit laik izraelit.

Duke u folur mbështetësve në Gazë, Ismail Haniyeh, një ndër udhëheqësit kryesorë të Hamasit, tha se palestinezët do të luftojnë “derisa të çlirojnë tokën”.

“Do ta vazhdojmë kryengritjen dhe do të mbledhim forcat që ta befasojmë mbarë botën. Nuk po e bëjmë këtë gjë vetëm për të mbrojtur Gazën, por për të çliruar Jeruzalemin dhe të gjithë Palestinën.”

Në ditën e Vitit të Ri, palestinezët qëlluan me disa raketa brenda Izraelit jugor, dhe ushtria u kundërpërgjigj me goditje ajrore. Izraeli njoftoi se arrestoi gjashtë anëtarë të Hamasit që po planifikonin marrjen peng dhe vrasjen e një shtetasi izraelit. Forcat e sigurisë vranë dje tre palestinezë pranë kolonisë izraelite në Betlehemin jugor, ndërsa të krishterët ortodoksë po festonin Krishtlindjen në qytetin e lindjes së Krishtit. Një tjetër palestinez u vra pranë Hebronit pasi u përpoq të godiste me thikë një ushtar izraelit. Për shkak të sulmeve të shpeshta me thika, Izraeli po prodhon jelekë të posaçëm mbrojtës.

“Po e them qartë që kryengritja do të vazhdojë derisa të na kthehet toka e marrë. Do ta ushqejmë Intifadën me gjakun dhe shpirtin tonë.”

Krahas luftës me palestinezët, shtetit të Izraelit i duhet të përballet edhe me hebrenjtë ultra-ortodoksë. Të dielën, një 21-vjeçar izraelit u akuzua për sulmin në korrik 2015 ndaj një shtëpie në Duma të Bregut Perëndimor, ku u vra një çift palestinez dhe foshnja e tyre. Sulmuesi ishte anëtar i një grupi të rinjsh ultra-ortodoksë.

“Nëse nuk do ishim ne këtu, arabët do të merrnin çdo gjë dhe do të ishte shumë e vështirë për ta marrë mbrapsht. Është një luftë shumë e heshtur.”

Forcat izraelite të sigurisë thonë se ky grup është i vogël dhe nuk ka mbështetjen e qeverisë apo të publikut.

“Jetojnë ku të duan nëpër koloni dhe marrëdhënia e tyre me palestinezët është shumë e dhunshme, me shumë vrasje.”

Edhe autoritetet palestineze thonë se kanë vështirësi të frenojnë të rinjtë e tyre, të cilët e shikojnë shpresën vetëm tek lufta.

XS
SM
MD
LG