Lidhje

Shitësit ambulant në Nju Jork


Në qytetin e Nju Jorkut ka rreth 20 mijë shitës ambulant, dhe 90 përqind e tyre janë emigrantë. Shumica e këtyre shitësve zhvillojnë aktivitetin e tyre në tregun e zi sepse nuk jepen leje të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e tregut. Mbështetësit dhe kundërshtarët e shitësve ambulantë janë dakord për një gjë, se sistemi aktual është jo-funksional. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bernard Shusman sjell hollësitë.

Mohamed Barghash dhe gruaja e tij Hoda sjellin gatimet e tyre në Manhatanin e Poshtëm. Çifti egjiptiano-amerikan ka shitur ushqime në Wall Street për 17 vjet. Ai është i liçencuar, por duhet të marrë me qira një leje duke paguar një përqindje të të ardhurave të tij pronarit të lejes.

"Ka shumë njerëz që aplikojnë po nuk ka leje të mjaftueshme për të pajisur të gjithë. Pra, në qoftë se janë 10.000 njerëz me licenca, vetëm 4 ose 5 mijë prej tyre arrijnë të marrin leje".

Nuk ka pasur asnjë ndryshim në numrin e lejeve të disponueshme për shitësit ambulantë në 34 vjet. Ndërkohë, numri i emigrantëve është rritur dhe shumë shitës ambulant janë në rrezik nga gjobat, shpenzimi i mijëra dollarëve në tregun e zi, marrja me qera dhe shitja e lejeve. Bashkia e Nju Jorkut është njoftuar për problemin.

"Ka një listë pritjeje gati 15-vjeçare për marrjen e një leje nga bashkia për të shitur në rrugë. Kjo ka rezultuar në krijimin e një tregu të zi, ku ju mund të paguani nga 20 deri në 25,000 dollarë për t’u pajisur me një leje dy-vjeçare e cila kushton vetëm 200 dollarë nëse ajo merret nga Bashkia".

Bizneset tradicionale nuk i duan shitësit ambulantë pasi ata u kanë shkaktuar atyre humbje duke shitur ushqime me çmime shumë më të ulëta dhe me cilësi shumë më të ulët se ushqimet e restauranteve.

"Ata shitës ambulantë nuk kanë liçenca. Ata janë të punësuar. Kush e di se ku jetojnë njerëzit që kanë liçencat? Unë nuk e di", thotë Dan Pisark.

Nëse ju pyesni njërin nga këta protestues, ata do të ju thonë se ka një qëndrim anti-emigracionit ndaj shitësve ambulant, por, një anëtarë i këshillit bashkiak që mbështet këta shitës, thotë se të gjithë njujorkezët janë emigrantë.

"Nuk ka asnjë njujorkez që nuk është emigrant. Nëse ata nuk janë emigrant, gjyshi apo një nga të parët e tyre kanë qenë emigrant hebre, irlandez, italian që kanë ardhur këtu nga jugu. Grupet e reja të emigrantëve kanë ardhur nga Amerika Latine, ish-Bashkimin Sovjetik, apo nga Afrika. Ne të gjithë jemi emigrantë në këtë qytet".

Prandaj, ka një numër të madh njerëzish që po kërkojnë punë dhe një nga punët e tyre të para është ajo e shitësit ambulant në rrugët e Nju Jorkut.

XS
SM
MD
LG