Lidhje

Lirohen ekuipazhet amerikane që mbaheshin nga Irani


Ekuipazhet e dy anijeve të vogla të marinës amerikane, që mbaheshin nga Irani, u liruan të mërkurën në mëngjes, thanë zyrtarët e Pentagonit.

Zyrtarët amerikanë thanë se nuk ka asnjë të dhënë se 10 anëtarët e ekuipazhit - nëntë meshkuj dhe një femër – kanë pësuar ndonjë lëndim gjatë orëve që u mbajtën të kapur nga forcat iraniane.

Ata ishin duke udhëtuar në Gjirin Persik në ujrat midis Kuvajtit dhe Bahreinit, kur kontrollorët amerikanë humbën lidhjet me ta. Dy barkat u kapën pranë ishullit Farsi dhe sot ekuipazhet u larguan prej andej me të njejtat varka dhe më pas u bashkuan me një aeroplanmbajtëse amerikane.

Autoritetet amerikane kanë filluar hetimet rreth incidentit.

Garda Revolucionare Iraniane tha se lirimi u krye pasi Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për hyrjen në territorin iranian dhe premtuan se kjo nuk do të ndodhte më.

Televizioni shtetëror iranian njoftoi se një problem mekanik në një prej sistemeve të lundrimit të barkave bëri që ato të hynin gabimisht në ujrat iraniane.

Ishulli Farsi është një bazë detare e Gardës Revolucionare Iraniane, gjë që mund të jetë arsyeja se përse marinarët u arrestuan menjëherë, i tha Zërit të Amerikës Mateu Kroenig, studiues në Qendrën për Sigurinë Ndërkombëtare “Brent Scowcroft” pranë Këshillit Atlantik.

"Shumica e vendeve do të bënin të njëjtën gjë, nëse marinarë të huaj do t’i afroheshin aq shumë një baze detare,” tha ai.

"Mund të ketë qenë një difekt mekanik në njërën nga anijet, por tani për tani kjo është e paqartë", tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes për Zërin e Amerikës. "Supozimi im është se ata ishin në ujërat territoriale iraniane kur u ndaluan," tha zyrtari.

Presidenti Obama nuk e përmendi këtë rast dje në fjalimin për gjendjen e vendit, por ai përmendi marrëveshjen bërthamore të nënshkruar vitin e kaluar mes Iranit dhe fuqive perëndimore duke theksuar se "bota shmangu një luftë tjetër".

XS
SM
MD
LG