Lidhje

Takimi Shqipëri-Itali-Serbi


Ministrat e Jashtëm të të tre vendeve bien dakort të rrisin bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit. Diskutohet mbi projekte të përbashkëta për zhvillimin rajonal

Shqipëria, Italia dhe Serbia ranë sot dakort të rrisin bashkëpunimin në luftën kundër esktremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Kjo u konfirmua në përfundim të takimit të dytë trepalësh në nivel ministrash të Jashtëm, i cili këtë herë u zhvillua në Tiranë.

“Shqetësimi për rreziqet nga terrorizmi është i përbashkët për të tre qeveritë tona dhe është një temë për të cilën të gjithë jemi angazhuar duke miratuar dhe ligje më të ashpra”, deklaroi ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni, ndërsa vlerësoi se “Shqipëria është një model pozitiv, sepse është një vend ku bashkëjetojnë persona të feve të ndryshme dhe ka një angazhim të dukshëm në luftën kundër radikalizimit gjë e cila përbën një faktor shumë të rëndësishëm të stabilitetit në rajon”. Ministri italian shtoi se fenomeni i terrorizmit “është një realitet ndaj të cilit askush nuk mund të ndihet imun, e për të cilin nevojitet një përgjigje e përbashkët”. Ai tha se të tre vendet do të rrisin bashkëpunimin edhe në nivel të shërbimeve të inteligjencës. Ndërsa ministri Ditmir Bushat njoftoi se të tre vendet kanë rënë dakort të bashkëpunojnë në nivel ekspertët për të gjitha cështjet që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.

Takimi tre palësh mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë është një nismë e qeverisë së Romës për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të Ballkanit perëndimor. Ministri Gentiloni ripërsëriti angazhimin e vendit të tij në mbështetje të ecjes përpara të procest të integrimit europian, duke nënvizuar se “përparimi pozitiv në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë është një faktor stabiliteti në Ballkan dhe një element që krijon mundësi për nisma konkrete”. Ministri shqiptar Bushati dhe ai serb Ivica Dacic rikonfirmuan angazhimin për të thelluar marrëdhëniet mes tyre duke theksuar nevojën e përfundimit të marrëveshjeve për të cilat palët kanë rënë dakort tanimë, në fushën e arsimit, lëvizjes së lirë apo bashkëpunimit ekonomik, ndërsa me rëndësi shihet ai në fushën e energjitikës.

Duke u ndalur në nevojën e zgjerimit të gamës së bashkëpunimit tripalësh në fusha si siguria energjetike, rendi, tregtia dhe bashkëpunimi rinor, ministrat konfirmuan aktivizimin e grupeve të eksperteve për jetësimin e projekteve të përbashkëta. Ministri Dacic u shpreh se: “ndonëse vendet e rajonit kane arritur të hartojnë tashmë projekte të përbashkëta, nevojitet mbështetja e BE-së për sigurimin e instrumenteve financiare”.

Takimi i ardhshëm trepalësh pritet të mbahet në Beograd, ndërkohë që vitin e ardhshëm Italia do të jetë vendi pritës I udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në takimin e tyre të radhës në kuadër të procesit të Berlinit, një nisëm e nxitur nga kancelraja gjermane Angela Merkel që prej vitit 2014.

XS
SM
MD
LG