Lidhje

Kerry, Lavrov takohen për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan sot në Zyrih për të diskutuar mbi luftën civile në Siri. Takimi u zhvillua në klimën e pikëpyetjeve, nëse bisedimet e paqes midis qeverisë dhe opozitës siriane do të mund të zhvillohen sipas planifikimit, më 25 janar. Sipas një zëdhënësi amerikan, zoti Kerry këmbënguli që Rusia të përdorë ndikimin e saj për të lejuar agjencitë e ndihmave të arrijnë tek sirianët e rrethuar.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov diskutuan planet rreth bisedimeve të kryesuara nga OKB-ja për paqen në Siri të planifikuara për më 25 janar.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, tha se dy shefat e diplomacive diskutuan mbi "rëndësinë e ruajtjes së përparimit drejt një zgjidhjeje diplomatike të krizës në Siri.”

Ai tha se "Sekretari Kerry këmbënguli që Rusia të përdorë ndikimin e saj tek regjimi i Asadit që agjencitë e ndihmave të mund të shkojnë menjëherë dhe pa pengesa tek të gjithë sirianët në nevojë, sidomos në zonat e rrethuara si Madaya.”

Zoti Lavrov tha pas takimit në Zyrih se bisedimet e paqes duhet të fillojnë këtë muaj, siç ishte planifikuar.

Ai u tha gazetarëve as ai dhe as homologu i tij amerikan nuk kishin diskutuar për ndonjë shtyrje të bisedimeve, të cilat janë planifikuar të fillojnë në Gjenevë më 25 janar.

Kombet e Bashkuara thanë të hënën se nuk do të bënin ftesa për bisedime derisa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dy fuqitë e mëdha që po shtyjnë përpara procesin e paqes, të bien dakord se cilët përfaqësues të opozitës siriane do të marrin pjesë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbështesin anët e kundërta në konfliktin sirian.

Departamenti amerikan i Shtetit, tha javën e kaluar se zoti Kerry dhe homologu I tij Lavrov kishin rënë dakord që bisedimet e paqes ku të përfshihej qeveria dhe grupet e opozitës, të zhvilloheshin pa kushte paraprake.

Rusia dhe Irani, vende që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad, kanë hedhur poshtë përpjekjet e Arabisë Saudite për të organizuar opozitën siriane dhe delegacionin për bisedime. Arabia Saudite, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, është kundër presidentit Assad.

Një këshill i opozitës siriane, i formuar në Riad muajin e kaluar, tha sot se nuk do të shkojë në negociatat e paqes në qoftë se në bisedime merr pjesë një palë e tretë. Këshilli i referohej përpjekjeve ruse për të përfshirë grupe të tjera në këtë proces.

Riad Hijab, i cili kryeson këshillin, akuzoi Rusinë për pengimin e negociatave. Ai tha gjithashtu në një konferencë shtypi në Riad se opozita nuk mund të negociojë, ndërkohë që sirianët vdesin si pasojë e bllokadave dhe bombardimeve.

XS
SM
MD
LG