Lidhje

Hollande zotohet për vazhdimin e luftës kundër ISIS


Presidenti francez Francois Hollande tha sot se Shteti Islamik po provokonte Francën me mënyrat më të ulëta dhe se ai ishte i gatshëm të vazhdonte goditjet kundër këtij rrjeti. Zoti Hollande i bëri komentet në Indi ku ndodhet për një vizitë shtetërore dhe si i ftuar nderi në Ditën Kombëtare të Republikës:

Presidenti francez Francois Hollande u zotua se Franca do të t’i japë një goditje të rëndë ISIS-it dhe se nuk do të tërhiqet si rezultat i provokimeve të ulëta që bën ky rrjet terrorist. Komenetet e udhëheqësit francez marrin shkas nga publikimi i një videoje nga dega e propagandës së ISIS-it ku, sipas organizatës ekstremiste shihen nëntë nga autorët e sulmeve të Parisit duke bërë deklaratat e fundit para akteve terroriste që lanë të vrarë 130 vetë.

Zoti Hollande tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Indisë Narendra Modi se Franca nuk do të sprapset dhe do të vazhdojë fushatën kundër ISIS:

"Nuk do t’ia lejojmë kurrë vetes të ndikohemi. Këto provokime të urryera vetëm e shtojnë vendosmërinë tonë, vendsmërinë time që të mbroj popullin francez përmes vendimeve që kam marrë dhe që i konfirmoj përsëri për të goditur këtë organizatë që na kërcënon dhe na vret fëmijët”.

Videoja u publikua në kanalin zyrtar të ISIS dhe tregon disa prej autorëve të sulmeve në një zonë shkretinore; disa prej tyre shihen duke ekzekutuar me prerje koke pengjet e mbajtura nga ISIS.

Më 13 nëntor, nëntë persona të ndarë në tre grupe sulmuan një stadium, një numër restorantesh dhe një sallë koncertesh. Lidhur me sulmin është nxjerrë një urdhër arresti për Salah Abdelslam, i cili u largua për në Belgjikë një ditë pas aktit. Në video, autorët prezantohen me pseudonime lufte të bazuara në shtetësitë e tyre: tre francezë, katër belgë dhe dy irakianë.

Presidenti francez i bëri komentet në Nju Delhi, në ditën e dytë të vizitës së tij në Indi. Nesër ai do të jetë i ftuar nderi në Ditën Kombëtare të Republikës dhe do të marrë pjesë edhe në paradën e organizuar me këtë rast – një shenjë e lidhjeve gjithnjë e më të thella politike dhe tregtare mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG