Lidhje

Pritet debat i nxehtë në Kongres për energjinë


Ndërsa në Uashington po përpiqen të pastrojnë borën e sjellë nga furtuna, debati në kongres do të nxehet këtë javë kur senati të shqyrtojë një projektligj që synon modernizimin e sektorit të energjisë në SHBA. Pasi u hoq ndalimi i eksportit të naftës amerikane, ligjvënësit do të debatojnë rreth lehtësimit të eksportit të gazit natyror dhe të prodhimit të mineraleve strategjike. Kryetarja e Komitetit të Energjisë në Senat, Lisa Murkowski, mbështet projektligjin.

“Do ta ndihmojë Amerikën të prodhojë më shumë energji dhe amerikanët do ta paguajnë energjinë më pak. Ramë dakort të rrisim eksportin e gazit të lëngshëm natyror për të nxitur ekonominë tonë dhe sigurinë e aleatëve. Ramë dakort të nxisim hidroçentralet, energjinë gjeotermike, dhe burimet e rinovueshme.”

Projektligji synon të kënaqë edhe industrinë e burimeve të ngurta. John Hoeven është senator republikan.

“Po zhvillohet një betejë globale se kush do të prodhojë naftë dhe gaz në të ardhmen. A do të jetë OPEC-u, Russia, Venezuela, apo ne?”

Në të njëjtën kohë, synohet të fitohet mbështetja e ligjvënësve që janë të shqetësuar për ndryshimet klimatike. Senatori demokrat Sheldon Whitehouse:

“2015-ta ishte viti më i ngrohtë ndonjëherë. Ky është fakt dhe jo anomali.”

Presidenti Obama ofroi një pasqyrë të arritjeve të administratës së tij.

“I kemi shkurtuar importet e naftës së huaj me 60%, dhe kemi ulur nivelin e ndotjes së karbonit më shumë se çdo vend i botës. Edhe çmimi i ulët i karburantit është gjë e mirë.”

Pasi e bëri SHBA-në pjesë të një marrëveshjeje historike globale, Presidenti Obama dëshiron ta drejtojë Amerikën drejt një të ardhmeje energjie të pastër.

“Do të krijojmë vende pune, do të kursejmë fonde, do të ruajmë planetin – ky është lloji i të ardhmes që meritojnë fëmijët dhe nipërit tanë. Dhe është e arritshme.”

Kryetarja e Komitetit të Energjisë në Senat, Lisa Murkowski:

“Presidenti Obama ka injoruar punën e mirë që po bëhet në Kongres, dhe po mundohet të imponojë një politikë të tijën për energjinë. Rregullat e tij ndëshkuese që po fillojnë të hyjnë në fuqi, kërcënojnë qëndrueshmërinë e energjisë tonë.”

Me kaq shumë interesa të ndryshme dhe vizione të ndryshme të së ardhmes energjitike të Amerikës, nuk dihet nëse do të miratohet projektligji në Kongresin e polarizuar dhe nëse do të marrë më tej edhe firmën e Presidentit Obama.

XS
SM
MD
LG