Lidhje

Blushi: I gatshëm të sfidoj Ramën


Deputeti socialist shprehet se do të hyjë në garë për kryetarin e partisë, nëse do të ketë një të tillë gjatë kongresit të marsit. Kritika të ashpra ndaj kryeministrit: Në parti kanë hyrë banditë. PS sot është konfuze. Koalicioni me LSI-në duhet ndryshuar

Deputeti socialist Ben Blushi deklaroi mbrëmë se ai është i gatshëm të hyjë në garën për kryetar të partisë së tij, përballë kryeministrit Edi Rama, nëse në kongresin që pritet të mbahet marsin e ardhshëm do të ketë një të tillë. Në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla në Top Channel, zoti Blushi, një kritik i hershëm i zotit Rama, u shpreh se besonte se mund ta drejtonte më mirë partinë.

Zoti Rama është në krye të partisë socialiste që prej vitit 2005, pas tërheqjes së kryetarit të saj jetëgjatë Fatos Nano, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve të atij viti. Ai u rikonfirmua në vitin 2009, pas një procesi votimi në të gjithë anëtarësinë socialiste. Sipas statutit të kësaj partie, gara e ardhshme për drejtimin e saj duhej zhvilluar pas katër vitesh, në vjeshtën e 2013. Por kjo garë nuk u zhvillua kurrë, dhe vetë zoti Rama e mbështetësit e tij, e konsideruan të mirëqenë rikonfirmimin e radhës si kryetar, duke qenë se PS-ja sapo kishte fituar zgjedhet politike, ndonëse statuti, libri i rregullave të një partie, në asnjë rresht të tij nuk e parashikon një gjë të tillë.

Deputeti Blushi e ka ngritur mëse një herë shqetësimin për mosrespektimin e rregullave të brendshme të partisë nga ana e zotit Rama. Mbrëmë ai foli me tone shumë të ashpra për situatën në të cilën sipas tij gjendet PS-ja. “Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun”, u shpreh zoti Blushi, duke shtuar se në partinë socialiste “po zëvendësohen ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Rama nuk bën zgjedhje sepse Edi Rama nuk do metër, nuk do votimet se ato tregojnë sa veta të mbështesin dhe sa jo”.

Deputeti Blushi, i cili një pjesë të kritikave i ka ngritur dhe më parë gjatë ndërhyrjeve në parlament apo përmes shkrimeve në shtyp, shprehet kundër dhe mënyrës se si po drejtohet vendi. “Të gjitha vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament, janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë, e cila është shprehur se do ulë taksat për të varfërit dhe do i rrisë për të pasurit? Atëherë vijnë për të përfituar”, theksoi ai.

Deputeti socialist nuk është i kënaqur as për mënyrën e funksionimit të koalicionit me LSI-në. “Edi Rama është përgjegjës se nuk po gjen dot ekuilibrin e duhur. Koalicioni po prodhon pushtet, por jo reforma. Unë do ta ndryshoj këtë koalicion, do ta bëj më funksional”, u shpreh ai, pa dhënë më shumë detaje.

XS
SM
MD
LG