Lidhje

Në prag të votimeve paraprake në Iowa


Pas muajsh fushate dhe debatesh, votuesit në shtetin qendror të Iowa-s, janë gati të thonë të parët fjalën e tyre në garën e presidenciale të vitit 2016. Sot në mbrëmje ata hedhin votën brenda partisë dhe shprehin preferencën e tyre për kandidatët. Në të dyja partitë pritet që gara të jetë e ngushtë. Anketa e fundit tregon se manjati i biznesit Donald Trump dhe senatori nga Teksasi, Ted Cruz gëzojnë pothuajse të njëjtën mbështetje, ashtu si edhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe senatori nga Vermonti, Bernie Sanders në kampin demokrat.

Kandidatët kryesorë presidencialë nga të dyja palët bënë përpjekjet e fundit për të tërhequr votues dje, në prag të zgjedhjeve brenda partive në Iowa, që shënonë fillimin zyrtar të fushatës për vitin 2016.

Kandidati që kryeson mes republikanëve, Donald Trump shfaqi vetëbesim në një takim fushate.

“Shteti juaj ka një precedent jo shumë të mirë. Për 16 vjet nuk keni zgjedhur fitues. Ju lutem zgjidhni një fitues këtë herë. Unë do të fitoj”.

Përkrahësit e zotit Trump thonë se janë të gatshëm të votojnë.

“Mendoj se ka shumë indinjatë me sistemin dhe se është e drejtë. Mendoj se sistemi duhet të tronditet sepse ka dështuar”.

Edhe senatori nga Teksasi, Ted Cruz, vetëm pak më poshtë se zoti Trump në anketën e fundit, bëri një apel entuziast.

“Në gjithë shtetin e Iowa-s, në gjithë vendin, njerëzit po zgjohen dhe unë jam këtu para jush për t’ju thënë: gjendja do të ndryshojë”.

Senatori nga Florida, është i treti por shpreson që t’i forcojë pozitat.

“Jo vetëm që do ta bashkojmë partinë, por edhe do ta forcojmë. Jo vetëm do të bashkojmë lëvizjen konservatore por do ta zgjerojmë, sepse nga kjo varet e ardhmja e vendit”.

Strategjisti republikan, Matt Strawn thotë se fati i garës së republikanëve do të përcaktohet nga pjesëmarrja në votime e përkrahësve të zotit Trump.

“Ai ka arritur të zgjojë diçka tek njerëzit. Tani pyetja është: a mund të shpresosh që njerëz që nuk kanë marrë kurrë më parë pjesë tek një proces kompleks, do të dalin të votojnë më 1 shkurt?”

Anketat tregojnë një garë të ngushtë mes demokratëve Hillary Clinton dhe Bernie Sanders. Të dy ata paraqitën argumentat e tyre dje. Zonja Clinton vuri në shënjestër republikanët.

“I foluri pa argumenta, në mënyrë të papërgjegjshme, me një retorikë acaruese, do ta bëjë më të vështirë punën tone. Prandaj, më mbështesni mua, planin tim, përvojën time dhe idetë që do të funksionojnë për vendin tone”.

Senatori Sanders, i është afruar zonjës Clinton nga mbështetja dhe po bën thirrje për pjesëmarrje të gjerë.

“Ne mund të hyjmë në histori dhe ju bëj thirrje të gjithëve të merrni pjesë në votime dhe sot kërkoj mbështetjen tuaj”.

Por pyetja shtrohet nëse simpatizantët e tij mund ta përballojnë organizimin e fushatës së zonjës Clinton, thotë analisti Dennis Goldford.

“Përkrahësit e senatorit Sanders, janë shumë entuziastë. Pyetja është: Sa të organizuar janë ata për t’i motivuar këta mbështetës të rinj dhe entuziastë që të dalin në votime?”

Pas javësh fushate intensive në Iowa, kandidatët janë tani gati të lejojnë votuesit të thonë fjalën e tyre.

XS
SM
MD
LG