Një grup prej 25 oficerësh policie nga Sllovakia kanë filluar patrullimin në jug të kufirit të Maqedonisë, me Greqinë, në kuadër të misionit evropian FRONTEX për të kontrolluar valën e refugatëve nga Lindja e Mesme.
Së bashku me policinë maqedonase do të bëjnë regjistrimin e refugjatëve të cilët kalojnë nga Greqia nëpër Maqedoni, për të vazhduar rrugën e tyre në veri, drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Ndërkaq organizatat e huaja dhe vëzhguesit njoftojnë se numri i refugjatëve dhe imigrantëve që kanë shkuar në veri të Greqisë vazhdon të jetë i lartë. Në grupe prej disa qindrash ata sillen në Idomeni, pranë Maqedonisë. Dhe vazhdimisht vijnë grupe të reja.
Maqedonia herë pas here ka mbyllur kufirin duke u arsyetuar me problemet që mund të kishin pasur autoritetet sllovene me pajisjet elektronike në kufijt e saj, apo për shkak të protestave të shoferëve të taksive dhe punëtorëve të hekurudhave në qytetin jugor të Gjevgjelisë, pranë pikë-kalimit kufitar me Idomenin e Greqisë.
Së fundmi ka pasur një njoftim nga media evropiane se Bashkimi Evropian do t’i ndante një shumë prej 650 milonë Euro Maqedonisë dhe Serbisë në mënyrë që refugjatët e vendeve të Lindjes së Mesme të strehohen në këto dy vende ballkanike, ku do të ngriteshisn kampe të reja. Por, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht as nga Burkseli e as nga autoritetet maqedonase.