Lidhje

Vota evangjeliste në zgjedhje


Evangjelistët republikanë në Shtetet e Bashkuara thonë se besimi i tyre fetar, ndikon fuqishëm tek zgjedhjet e tyre politike.

“Unë nuk jam edhe aq e dhënë pas politikës, por nëse Zoti nuk është faktori kryesor tek një politikan, kjo do të përbënte problem për mua”, thotë Tina Marie, e krishterë evangjeliste.

Ky grup votuesish zakonisht nuk pranojnë kandidatë që mbështesin të drejtën për abort, të drejtat e homoseksualëve, ose çdo gjë tjetër që ata mendojnë se kërcënon vlerat tradiconale fetare.

Por reverendi Dave Welch që drejton Këshillin e Priftërinjve të Zonës së Hjustonit, thotë se votuesit duhet t’i balancojnë këto shqetësime me elementë të tjerë si aftësi udhëheqëse dhe përvojë.

“Një nga sfidat veçanërisht për të krishterët, është që të vendosin një standard të lartë, standard bible, por që të mos jetë një standard perfeksionist jashtë arsyes”.

Por Welch është i shqetësuar nga evangjelistët që mbështesi Donald Trumpin, jeta personale e të cilit dhe pronësia e kazinove ngre çështje morale dhe qëndrimi i të cilit për emigracionin përfshin deportimin e miliona punonjësve pa dokumenta.

“Nga pikëpamja biblike, nga pikëpamja njerëzore, është një qëndrim i papërgjegjshëm, prandaj në thelb është e paarsyeshme”.

Megjithatë, evagjelistë si kreu i Universitetit Liberty, Jerry Falwell Jr., e kanë mbështetur zotin Trump.

Përkrahësit e tij në radhët e evangjelistëve, thonë se e favorizojnë sepse flet qartë dhe drejtpërdrejt për shqetësimet e tyre, pavarësisht nga ato që ata i konsiderojnë si defekte të tijat.

Mark Jones në Universitetin Rice thotë se evangjelistët në përgjithësi mbështesin një kandidat që përmbush standarde të gjera.

“Veçanërisht në zgjedhjet brenda partisë, të krishterët evangjelistë, votojnë për kandidatin që është njëkohësisht edhe konservator për çështje sociale, por edhe pikëpamjet e të cilit për ekonominë dhe politikën e jashtme përputhen me të tyret”.

Ky person sipas sondazheve të fundit, mund të jetë senatori Ted Cruz, diçka që Reverendit Welch i pëlqen,

“Ted Cruz është një pasues i përkushtuar dhe i qëndrueshëm i Jezu Krishtit. Ai nuk është lëkundur kurrë nga parimet e tij”.

Por profesor Jones tërheq vëmendjen se anketat duhen parë me një farë skepticizmi.

“Duhet të mos harrojmë që këto sondazhe masin qëndrime jo thelbësore të shumë njerëzve, shumica e të cilëve nuk do të votojnë në zgjedhjet paraprake”.

Se cili nga kandidatët do të marrë mbështetjen më të madhe nga evangjelsitët, do të shihet nga zgjedhjet paraprake të disa shteteve, përfshirë ato që u kryen në Iowa, ato në Karolinën e Jugut me 20 shkurt dhe zgjedhje paraprake në disa shtete të rëndësishme jugore, përfshirë Teksasin, në “të marten e madhe”, më 1 mars.

XS
SM
MD
LG