Lidhje

Kubanët mbi vizitën e pritshme të presidentit Obama


Njoftimi se Presidenti Obama do të vizitojë Kubën muajin e ardhshëm është pritur me reagime të forta si në Uashington, edhe në Havanë. Në Uashington vizita po prezantohet si një tjetër hap përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, ndërsa në Kubë banorët shpresojnë që vizita të shërbejë për ndryshime konkrete në vendin e tyre:

14 muaj pas njoftimit për rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe gjashtë muaj pas takimit që Presidenti Obama zhvilloi me presidentin kuban Raul Kastro gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, tani Presidenti Obama do të takohet në tokë kubane me Kastron.

Shtëpia e Bardhë thotë se vizita është një tjetër hap përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve:

“E shohim këtë vizitë si mënyrë për të çuar përpara procesin e normalizimit, në mënyrë që të ketë një hapje më të madhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës në aspekin tregtar, por edhe për të theksuar vlerat që janë të rëndësishme për ne,” tha Këshilltari i Presidentit Obama Ben Rhodes.

Por në Kubë, disa shprehen pesimistë se vizita do të sjellë ndryshime konkrete.

“Ardhja e Obamës është e njëjta gjë si vizita e Papës. Asgjë nuk ndodhi pas Papës, çdo gjë vazhdon si më parë,” thotë një punëtor kuban.

Papa zhvilloi një vizitë historike vjet në këtë vend-ishull. Kur të vijë Presidenti Obama, ata duan që ta prezantojnë me realitetin e jetës:

“Ai duhet të vizitojë kryesisht lagjet e varfra. Ta sjellin të shohë si jetohet këtu në Kubë,” thotë një banore.

Që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike, kubanët thonë se shumë pak ka ndryshuar. Por në Uashington vizita e presidentit shihet si një mundësi ekonomike:

“Shpresoj të takohet me mekanikët, me artistët kubanë, me sipërmarrësit e rinj në sektorin privat për t’i dhënë shtysë kësaj ekonomie tregu që hedh hapat e para,” thotë Peter Kornbluh i Universitetit George Washington.

Ai shton se vizita e presidentit është një gjest historic që mund të ketë ndikim real.

“Sa më shumë të ndërtojmë ura kulturore, sociale dhe ekonomike me Kubën, aq më shumë mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara për të mbështetur ndryshime rrënjësore në jetën e kubanëve”.

Populli kuban ende nuk gëzon lirinë e fjalës dhe të drejtën e organizimit. Qasja në internet është e kufizuar dhe numri i arrestimeve arbitrare në vend u rrit gjatë vitit të kaluar, pas rivendosjes së marrëdhënieve me Amerikën.

Vizita e presidentit mund të ndihmojë për të hapur dialogun për ndryshime në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut.

“Nevojiten ndryshime që do u lejojnë njerëzve të ngrenë zërin për të kundërshtuar, të shprehin ide të kundërta,” thotë Marsela Gonçalves Margerin e organizatës Amnesty International.

Në Kubë njerëzit ushqejnë shpresë se dy vendet mund të afrohen në nivel personal.

“Shpresoj se marrëdhëniet do të përmirësohen pas kësaj vizite dhe se do të krijohen lidhje mes dy popujve, pasi fajin nuk e kanë popujt,” thotë një kubane.

XS
SM
MD
LG