Lidhje

Në prag të zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut


Kandidatët republikanë në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara ndeshen të shtunën në një garë partiake të rëndësishme në Karolinën e Jugut, ndërsa kandidatët demokratë, rivalët Hillary Clinton dhe Bernie Sanders ndeshen në zgjedhje partiake në Nevada. Sipas anketave, republikani Trump udhëheq me shumicë dërrmuese garën e partisë së tij, ndërsa demokratët Clinton dhe Sanders janë në një garë të ngushtë në Nevada:

Republikani Donald Trump po shfaq një tipar personal në Karolinën e Jugut, ku anketat tregojnë se ai udhëheq ndjeshëm garën republikane:

“Do ta bëjmë vendin tonë vetë dhe siç duhet. Kemi për të fituar, nuk do durojmë më nga këto gjëra. Do të punojmë si duhet dhe kemi për ta bërë Amerikën edhe një herë të shkëlqyer.”

Gara republikane në Karolinën e Jugut është acaruar së tepërmi, përfshirë përplasjet në debatin e kohëve të fundit mes Donald Trumpit dhe Jebb Bushit, ku Trump e lidhi Bushin me luftën e Irakut, kur i vëllai ishte president.

“Ata gënjyen. Thanë se në Irak kishte armë të shkatërrimit në masë, por në fakt nuk pati dhe ata e dinin këtë”, tha zoti Trump.

“Jam lodhur me këto përpjekje për t’u marrë me familjen time. Babai im është njeriu më i shkëlqyer që ekziston“, tha zoti Bush.

Jeb Bush shpreson ta ngushtojë hendekun me Donald Trumpin me ndihmën e vëllait të tij, ish-presidentit George W. Bush.

“Unë e kuptoj që amerikanët janë të irrituar. Por ne nuk na duhet në Zyrën Ovale një njeri që pasqyron dhe nxit zemërim dhe irritim”.

Trump ka kërcënuar se do ta padisë rivalin Ted Cruz lidhur me një reklamë televizive, ndërsa Cruz thotë se deklaratat e Trumpit në të shkuarën meritojnë kritika.

“Unë mendoj se shumë banorët të Karolinës së Jugut shqetësohen se

Donald Trump nuk ka përgatitjen e nevojshme për të qenë komandant i përgjithshëm.”

Cruz po lufton me senatorin Marco Rubio për vendin e dytë. Rubio u fuqizua me mbështetjen që mori nga guvernatori i Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Gara e Partisë Demokratike të shtunën transferohet në Nevada, për votimin partiak, ku Hillary Clinton përballet me një sfidë nga Bernie Sanders.

“Udhëheqje nuk do të thotë të mbrosh çështje që gëzojnë popullaritet. Udhëheqje do të thotë të mbrosh të drejtën, edhe kur ajo nuk gëzon popullaritet.”

Clinton po ashtu është fokusuar që të tërheqë votat e afrikano-amerikanëve në Karolinën e Jugut, ku demokratët votojnë më 27 shkurt.

“Unë dua t’i prish të gjitha pengesat me të cilat ndeshen afrikano-amerikanët për shkak të racës, sepse vendi ynë mund të jetojë me të gjithë potencialin e vet, vetëm kur çdo amerikan të ketë mundësinë të jetojë njëlloj.”

Një anketë e re në shkallë kombëtare tregon se kandidatët demokratë Sanders dhe Clinton janë në një garë tepër të ngushtë për të marrë votën e partisë së tyre.

XS
SM
MD
LG